Gjykata e Apelit për Juridiksionin e Përgjithshëm ka vendosur të shtyjë për nesër (6 gusht), në orën 10:00, shpalljen e vendimit për masat e sigurisë ndaj të dyshuarve në dosjen “Bankers Petroleum”.
Seanca e sotme nisi rreth mesditës dhe përfundoi me parashtrimet përfundimtare të avokatëve mbrojtës, të cilët kundërshtuan masat e vendosura më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë në Fier.
Jashtë ambienteve të gjykatës u vunë re përfaqësues të kompanisë “Bankers Petroleum”, si dhe të Ambasadës së Kinës në Tiranë, një prani që tregon peshën diplomatike dhe ekonomike të çështjes.
Aktualisht, Drejtori i Përgjithshëm i Bankers, shtetasi kinez Hong Ping Xiao dhe ish-drejtori Leonidha Çobo ndodhen në “arrest me burg”. Pesë persona të tjerë janë lënë në “arrest shtëpie”, ndërsa tre të tjerë janë nën masën “detyrim paraqitjeje” dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.



