“Çështja Tahiri”, Basha: Komisioni do hetojë pse kupola e policisë u kthye në organizatë kriminale

Para daljes në media sot në selinë blu, kreu i PD-së, Lulim Basha zhvilloi sot një takim me anëtarët e Komisionit Hetimor për Çështjen Tahiri.

Kemi kryer sot konsultën e parë që i paraprin takimit të parë të komisionit hetimor ditën e hënë. Në rastin e Saimir Tahirit ra shteti dhe pushuan së ekzistuari të gjitha institucionet ligjzbatuese të vendit. Qëllimi i komisionit hetimor është të zbardhë çfarë ndodhi dhe pse ndodhi, për të mos lejuar kurrë më që shteti të kapet nga krimi dhe të kthehet në zgjatim të trafikantëve të drogës dhe të grupeve kriminale të krimit të organizuar”, tha Basha.

Sipas tij, “komisioni do të hetojë si dhe pse ndodhi, që e gjithë kupola e policisë u kthye në organizatë kriminale dhe askush në qeverisje nuk reagoi”.

“Si dhe pse ndodhi, që megjithë informimet e shumta për përfshirjen e Saimir Tahirit në trafikun e drogës, asnjë institucion shtetëror nuk e vuri atë para përgjegjësisë. Si dhe pse ndodhi, që vendi u mbulua me drogë sheshit dhe asnjë institucion shtetëror nuk reagoi dhe nuk bëri asnjë përpjekje për ta ndaluar”, tha më tej Basha.

Paralelisht me punën e këtij komisioni, ai bëri thirrje që “prokuroria të bëjë punën e saj për të hetuar grupin kriminal Habilaj-Tahiri dhe të gjithë policët dhe bashkëpunëtorët e tjerë politikë dhe jopolitikë të këtij grupi të rrezikshëm”. “Duhet ta bëjë në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar”, tha ai.

Sipas Bashës, “po bëhet presion shumë i madh politik për të mbyllur çështjen Tahiri”. “Nuk mund të ketë drejtësi selektive”, tha Basha.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme