Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka kaluar në gjykim dosjen në ngarkim të avokatit Radovan Çela, lidhur me çështjen ‘Toyota Auris’.
Radovan Çela ka qenë avokat i Alfred dhe Elvis Vladi, të arrestuar në vitin 2018 pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit, si pjesë e të ashtuquajturës dosja ‘Toyota Yaris’.
Çela është përfshirë në dosjen e ish-Kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka. Në dosje janë përfshirë gjithashtu ish-oficerja e policisë gjyqësore pranë ish-prokurorisë për Krime të Rënda, Erjona Daupaj dhe Astrit Vladi.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat e korrupsionit në disa raste, si dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm si dhe nxjerrje të sekretit të hetimit.
Sipas prokurorisë të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet për të ndikuar tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin dhe gjykonin dosjen e 3.4 milion eurove që u bllokua në Portin e Durrësit, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit.
SPAK i akuzon po ashtu edhe për favorizim të Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit.
Hetimi nisi mbi bazën e të dhënave të Sky Ecc që SPAK iu vunë në dispozicion nga autoritetet franceze, ku mes të pandehurve u zbuluan komunikime për çështjet.
DOSJA E SPAK PËR TOYOTA AURIS
Sipas SPAK, është provuar se të pandehurit Astrit Vladi (kushëri i Elvis Vladit i dënuar për 3.4 mln euro të gjetura në makinën Toyota Yaris), Radovan Çela, Eriona Daupaj dhe Aurel Zarka në bashkëpunim me njëri tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive, për secilin prej tyre.
Prokuroria e Posaçme njoftoi më 4 Janar se është vendosur ndarja e çështjes penale dhe veçimi i akteve në lidhje me një sërë komunikimesh të kryera nga të pandehurit.
Konkretisht, nga aktet e këtij proçedimi penal janë veçuar aktet dhe janë rregjistruar proçedimet penale:
Së pari, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat e kryera nga të pandehurit dhe personat e tjerë të administruara gjatë hetimeve, në përmbajtjen e të cilave përmënden persona të tjerë në cilësinë e prokurorëve, gjyqtarëve, funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, për të cilët pretendohet se kanë kërkuar apo kanë marrë përfitime të parregullta.
Së dyti, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat dhe komunikimet që janë administruar gjatë hetimeve, nga të cilat ekzistojnë të dhëna se edhe persona të tjerë mundet të kenë kryer ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që kanë ushtruar funksionin e prokurorit, gjyqtarit apo funksionarëve të organeve të tjera të drejtësisë.
Së treti, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve pasi nga burimet e provave të mbledhura gjatë hetimeve për këtë procedim penal janë krijuar të dhëna dhe dyshime se mundet të jenë kryer veprime që përmbajnë elementët e veprave penale të tjera.