Diplomacia serbe do të vazhdojë të lobojë te shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën që ta tërheqin njohjen, shkruan gazeta beogradase “Danas” mbështetur në burime jozyrtare diplomatike
Burimet i kanë thënë gazetës se ndërmjetësuesja në dialog Federica Mogherini kërkon edhe nga Beogradi edhe nga Prishtina që të ndërpresin të gjitha lobimet në lidhje me “zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, ndërsa nga pushteti i Kosovës, siç është e ditur, kërkohet ta heqë taksën prej njëqind për qind në mallin nga Serbia.
“Meqë Prishtina po refuzon ta heqë taksën, as pushteti serb nuk do të heqë dorë nga lobimi për tërheqjen e njohjeve… Pra, nuk ka kurrëfarë marrëveshjeje as për tërheqjen e taksës, e as për ndërprerjen e fushatës së lobimit”, kanë thënë bashkëbiseduesit.
Burimet kanë mohuar si të pavërteta deklaratat e opozitarit malazias Nebojsa Medojevic se kryetari serb Aleksandar Vucic dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi do të takohen më 12 qershor në Nju Jork dhe të arrijnë marrëveshjen për Kosovën.
Përfaqësuesit e qarqeve diplomatike janë “bukur skeptikë” se gjatë dy muajve të ardhshëm, deri në takimin e ri të “gjashtëshes ballkanoperëndimore” mund të ndodhë diçka e rëndësishme në lidhje me Kosovën shkaku i zgjedhjeve në BE, ndërsa Beogradi e Prishtina do të presin takimin për Ballkanin të paralajmëruar për fillim të korrikut në Paris.
Gazeta thekson se ende ekzitojnë mendime të ndryshme për problemin e Kosovës e Ballkanin, gjë që ia vështirëson pozitën kancelares gjermane Angela Merkel dhe kryetarit francez Emmanuel Macron që të paraqesin çfarëdo ideshë të reja për Kosovën. Mungesa e vullnetit dhe kokëfortësia e Beogradit e Prishtinës që të lëvizin drejt kompromisit, testojnë durimin e Parisit e Berlinit, por edhe të Uashingtonit. Disa shtet evropiane sikur janë të fyera për shkak të angazhimit të Amerikës rreth zgjidhjes së problemit të Kosovës, por pa përfshirjen e Uashingtonit dhe pajtimit të Moskës, nuk do të jetë e mundur të pritet nyja Gordiane rreth Kosovës, kanë thënë burimet.
Diplomatët kanë thënë se “nuk janë aspak reale” kërkesat e kryeministri të Kosovës Ramush Haradinaj që Mogherini të përjashtohet nga vazhdimi i dialogut për Kosovën dhe kjo kërkesë ka të bëjë vetëm me përpjekjet e Haradinajt për të arritur poenë në terrenin vendor politik.