Ju informojmë për takimet dhe ngjarjet më të rëndësishme që do të ndodhin nga 26 shkurti deri më 4 mars në Kontinentin e Vjetër
Gjatë 25 dhe 26 shkurtit, mbreti Felipe VI i Spanjës do të qëndrojë në Barcelonë – në vizitën e parë atje prej kur ka nisur kriza katalonase.
Nga 25 shkurti deri më 1 mars, kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, do të qëndrojë në Ballkan, në kuadër të një turneu nëpër gjashtë shtetet e gadishullit.
Gjatë javës së ardhshme (data e saktë nuk dihet), Bashkimi Evropian pritet të publikojë një projektmarrëveshje për Brexit – për daljen e Britanisë nga blloku.
Më 26 shkurt, Këshilli për Punë të Jashtme i Bashkimit Evropian do të mbajë mbledhje, për të diskutuar për Moldavinë, Venezuelën dhe procesin për paqe në Lindje të Mesme.
Në të njëjtën ditë, në Gjermani, Unioni Kristiandemokrat dhe aleati i tij, Unioni Kristiansocial, pritet të aprovojnë marrëveshjen për koalicion të madh me Partinë Socialdemokrate, gjatë një konference partiake.
Gjithashtu, më 26 shkurt, përfaqësuesit e kreditorëve të Greqisë do të mbërrijnë në Athinë, për të nisur vlerësimin e katërt të programit për shpëtimin e vendit.
Ndërkaq, gjatë kësaj dite, në Bruksel pritet të rinisë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
E, komisionari për buxhet i Bashkimit Evropian, Gunther Oettinger, do ta vizitojë Spanjën gjatë asaj dite.
Më 27 shkurt, Këshilli për Punë të Përgjithshme i Bashkimit Evropian do të takohet për të diskutuar për Brexit’in, për sundimin e ligjit në Poloni, dhe për përgatitjet për mbledhjen e Këshillit Evropian, më 22-23 mars.
Një ditë më vonë, Këshilli Evropian do të zhvillojë në Bruksel diskutime për çështjen e punonjësve të dërguar në misione të ndryshme.
Më 1 mars, ministrja e Punëve të Jashtme i Austrisë, Karin Kneissl, pritet ta vizitojë Hungarinë.
Ndërkaq, më 2 mars, zyrtarët francezë dhe italianë do të nisin punët për hartimin e një traktati të ri Francë-Itali, për nxitjen e bashkëpunimit bilateral në industri, dije dhe edukim.
Në të njëjtën ditë, kryeministrja britanike, Theresa May, pritet të paraqesë qëndrimin e qeverisë së saj për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Ndërkaq, gjatë asaj dite, kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, do ta vizitojë Hamburgun, në Gjermani, për t’u takuar me prefektin e qytetit, Olaf Scholz; me ministrin e ardhshëm gjerman të Financave; dhe me Joschka Fischerin, ish-zëvendëskancelarin dhe ish-ministrin e Jashtëm të Gjermanisë. /Express/