Kryeministri Ramush Haradinaj nuk po merr pjesë në Samitin e 100-të që mbahet sot dhe nesër në Shkup. Pjesëmarrës atje do të jenë hiç më pak se 3 kryeministra të rajonit. Nga Qeveria e Maqedonisë i kanë thënë Gazetës Express se Haradinaj ka pasur ftesë dhe aktivitete të parapara për këtë Samit. Ndërkaq, arsyet e anulimit të udhëtimit atje që i ka prezantuar Zyra e Kryeministrit nuk duken mjaft bindëse.
Ramush Haradinaj nuk u është bashkuar homologëve të tij nga rajoni në një Samit në Shkup që mbahet sot e nesër.
Nga Zyra e tij, në një sqarim të lëshuar mbrëmë, kanë thënë se Haradinaj për sot ka një agjendë të ngjeshur për ditën e sotme.
Por, në bazë të takimeve që janë zhvilluar sot, vështirë se mund të arsyetohet mosshkuarja në Shkup.
“Për shkak të agjendës së paracaktuar në Kosovë, nuk do të mundë të marrë pjesë në Samitin 100, në Shkup, të hënën”, ka bërë të ditur mbrëmë Qeveria e Kosovës, nëpërmjet një komunikate.
Në Qeverinë e Maqedonisë kanë thënë se Haradinaj ka pasur ftesë për vizitë në kryeqytetin maqedonas dhe për pjesëmarrje në Samit.
“Kryeministrit Haradinaj ka qenë i ftuar. Ka qenë e paraparë që ai të marrë pjesë në konferencën për media”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski.
Por, në Qeverinë maqedonase nuk i dinë arsyet pse Haradinaj nuk ka udhëtuar drejt Shkupit.
“Nuk kam informacion pse Haradinaj ka anuluar pjesëmarrjen në Samit”, ka shtuar zëdhënësi.
Por, çfarë bëri sot Haradinaj dhe cilat ishin “prioritetet qeveritare” që i përmendi Zyra e tij si arsye?
Haradinaj ka pritur sot në zyrën e tij kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun, dhe djalin e tij, deputetin Mergim Lushtaku.
Me Lushtakun ai ka folur për veteranët dhe për kategoritë tjera të dala nga lufta.
Pas tij, Haradinaj takoi edhe deputetin Milaim Zeka, me të cilin, siç njofton Zyra e Kryeministrit, biseduan për aktualitetin politik. Pak orë pas takimit të Haradinajt me Zekën, ky i fundit u arrestua.
Haradinaj ka thënë se Zekën e ka takuar në cilësinë e anëtarit të Komisionit Parlamentar për Media, me të cilin ka folur rreth Ligjit për Transmetuesin Publik edhe pse Zeka këto ditë është i përfolur rreth një skandali me viza, ndërsa emri i tij është ndërlidhur edhe me rrahjen e gazetarit Vehbi Kajtazi.
Nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se kryeministri pati takim edhe me presidentin Hashim Thaçi, që ishte paracaktuar për koordinimin e shënimit të 10-vjetorit të pavarësisë.
Haradinaj, po ashtu, ka paralajmëruar se në orën 13:30 merr pjesë edhe në Akademinë Përkujtimore me rastin e rënies së Adrian Krasniqit. Më pas vijon takimin me ambasadoren holandeze, kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Bordin e AKP-së, pastaj Matoshi tregon se Haradinaj do të japë intervistë për Reuters.
Pas orës 17, shefi i ekzekutivit lë zyrën e Qeverisë, për t’u marrë me fushatë në kuadër të partisë së tij. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot ka paralajmëruar tubim në lagjen ‘Kodra e Trimave’ në Prishtinë, e më pas, në orën 18, takim me sportistë. Në të dyja do të jetë i pranishëm Haradinaj.
Në mbrëmje kryeministri është organizator i një pritjeje për Sfidat e Mijëvjecarit (MCC).
Këto aktivitete ditore bënë që kryeministri, siç njoftoi Zyra e tij, të mos marrë pjesë në Samitin 100 në Shkup, i cili mbledh mbi 150 liderë biznesi nga Evropa Juglindore, katër kryeministra nga Ballkani Perëndimor, si dhe ministra dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian, të cilët marrin pjesë në Samitin rajonal 100 që filloi sot në Shkup.
Për dallim prej Haradinajt, pjesëmarrjen në Samitin në Shkup e kanë konfirmuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Dushko Markoviq, dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq. Samiti vazhdon edhe nesër.
Kabineti i Haradinajt ka njoftuar se kryeministri kosovar, meqë nuk pati mundësi që sot të marrë pjesë në Samit, do t’i bëjë ftesë zyrtare për ta vizituar Kosovën kryeministrit maqedonas Zoran Zaev.
Po ashtu, do të vizitojë Podgoricën, për të treguar se prezenca e kryeministrit malazez s’ka se si të jetë arsye për të anuluar pjesëmarrjen e tij në Samit. /Express/