Çfarë iu kërkua Kosovës pas takimit të Thaçit në Bruksel?

Krahas shumë çështjeve të hapura me të cilat po përballet Kosova në planin e brendshëm dhe të jashtëm, ajo po përpiqet të afrohet edhe me BE. Çfarë po kërkon presideni Hashim Thaçi në Bruksel dhe çfarë i ofrohet Kosovës?

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka biseduar këto ditë me krerët e Bashkimit Evropian për perspektivën evriopiane të Kosovës – në një periudhë kur ajo po përballet me sfida të shumta. Presidentin e Kosovës e kanë pritur në selinë e BE edhe presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk, kryetari i ri i Parlamentit Evropian Antonino Tajani dhe presidenti i Komisionit Evrpopian Jean-Cloude Juncker. Autoritetet e BE nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë zyrtare për këto takime, por burimet diplomatike i kanë thënë Deutsche Welles se pala evropiane është e kënaqur me këto takime me presidentin Thaçi. Rëndësia e këtyre takimeve ka fituar në peshë për shkak të gjendjes së komplikuar gjeopolitike.

BE i kënaqur me Thaçin, por kërkohen vepra

”Presidenti i Këshillit të Evropës dhe presidenti i Kosovës kanë biseduar për rreziqet dhe sfidat aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë. Ata kanë rënë dakord që BE duhet të ketë një qasje strategjike në Ballkanin Perëndimor dhe se ky rajon duhet të mbetet një prej prioriteteve të BE-së. Presidenti Tusk e ka inkurajuar bashkëbiseduesin nga Kosova që të mbetet i përkushtuar politikës serioze për uljen e tensioneve brenda Kosovës dhe në raport me Serbinë”, thonë burimet e Deutsche Welles në Këshillin e Evropës.

Kërkesat për uljen e tensioneve nënkuptojnë më pak komente dhe më shumë angazhim dhe kjo kërkesë është quajtur edhe nga shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, e cila ndërmjetëson edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo së fundi ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet, të ndërprietet me akuzat dhe provokimet mes vete dhe të niset me zbatimin e marrëveshjeve konstruktive të arritura në Bruksel.

Donald Tusk

”Përparimi në normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës është tani më i rëndësishëm se kurrë më parë, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin mes këtyre vendeve dhe në rajon, si dhe për përparimin e Serbisë dhe Kosovës në rrugën e integrimit evropian”, ka sugjeruar përfaqësuesja e lartë e BE për politikë të jashtme dhe siguri, Mogherini.

Sfidat e Kosovës dhe çështjet e hapura

BE i ka parashtruar Kosovës kushte të qarta nga të cilat nuk do të heqë dorë. Nga autoritetet në Prishtinë kërkohet që të angazhohet për uljen dhe zgjidhjen e tensioneve të brendshme politike, qetësimin e tensioneve dhe konflikteve politike, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e cila ka përfshirë edhe nivelet më të larta të pushtetit, transformimin demokratik dhe ekonomik të vendit, por edhe zgjidhjen e çështjeve të hapura me Serbinë, me qëllim të normalizimit të raporteve mes këtyre vendeve dhe gjendjes në rajon. Në kuadr të raporteve me BE, Kosova duhet të punojë në dy binarë. I pari është plotësimi i kushteve për liberalizimin e vizave, që është edhe prioritet i presidentit Thaçi.

”Jam i vetëdijshëm që nuk ka ndonjë plan më të rëndësishëm dhe më urgjet për Kosovën se përfundimi i izolimit të qytetarëve tanë. Ndaj fokusi im është procesi i liberalizimit të vizave”, ka thënë presidenti Thaçi pas takimit të djeshëm me presidentin e Komisionit Evropian, Juncker.

Kosova është vendi i vetëm në rajon ku qytetarët nuk gëzojnë të drejtën e lëvzijes pa viza në zonën Shengen. Për liberalizimin e vizave BE kërkon nga Kosova demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe një luftë të denjë kundër korrupisonit dhe krimit të organizuar.

Ndërsa binari i dytë është përfaqësimi i Kosovës në procesin e integrimeve evropiane, ku kërkohen reforma dhe normalizimi i raporteve me Beogradin. Për kompleksitetin e situatës dëshmojnë edhe paralajmërimet për zgjedhje të mundshme të jashtëzakonshme në Kosovë, sepse aktualisht nuk po mund të merren vendime të rëndësishme që e çojnë vendin përpara, siç janw demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

A ka Kosova perspektivë evropiane?

BE ka kërkuar plotësimin e kushteve të caktuara nga Kosova por deri tani nuk e ka thënë qartë se si do të vazhdojë rruga e integrimeve të Kosovës në BE. Me futjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim është vendosur një lloj raporti kontraktues mes Prishtinës dhe Brukselit. Por për çdo hap tjetër në rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në BE nevojitet një konsensus i vendeve anëtare. Një konsensus i tillë aktualisht nuk ekzsiton dhe nuk dihet se kur do të arrihet. Për dallim prej procesit të liberalizimit të vizave, i cili paraqet një shërbim për të gjithë qytetarët e Kosovës, shtrohet pyetja se cilat janë ofertat e BE me të cilat mund të nxisë Kosovën të realizojë kërkesat tjera, për demarkacionin e kufirit apo Asociacionin e komunavem e shumicë serbe? Presidenti Thaçi e ka përsëritur gjithmonë se “BE është perspektiva e Kosovës dhe rajonit”. Por fjalia e deritanishme se Kosova dhe Ballkani kanë një perspektivë evropiane janë shndërrar në një lloj fjalie relativisht boshe të liderëve evropianë, për shkak të përdorimit tepër të shpeshtë dhe veprimeve të vogla. Tani po punohet me shpejtësi për përpunimin e planeve të reja që kanë të bëjnë me ruajtjen e unitetit të BE që mund të ndikojë edhe në zgjerimin dhe pranimin apo jo të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE./DW/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme