Çfarë kombësie kishte Aleksandri i madh?

E enjte, 20 Tetor 2016  –  Sakte.net

Nga Marin Mema

Autorët antikë që kanë shkruar apo kanë përmendur Aleksandrin e madh janë të shumtë, megjithatë ne do të rendisim disa prej tyre ose, thënë më qartë, më të rëndësishmit.  Informacionet, sigurisht, kanë të bëjnë me origjinën dhe identitetin e tij. Përmes tyre, por edhe të dhënave të tjera, do të përpiqemi të kuptojmë se çfarë prejardhje kishte Aleksandri i madh i Maqedonisë.

Një fakt i gjithëpranuar është se Filipi i Dytë kishte nënë Euridikën, e cila vinte nga fisi ilir i Lynkestëve. Që Lynkestët janë fis ilir kjo dëshmohet nga historianë e gjeografë si Tit Livi, Straboni e po ashtu Plini, që rendit me detaje shumë prej tyre në librin e katërt të koleksionit të gjatë prej 37 veprash nën emrin “Naturalis Historia”, “Historia e natyrës”. Po ashtu, edhe gjeografi Klaud Ptolemeu, që jetoi në Aleksandri, i rendit logjikisht Lynkestët  në librin e tij “Geographia”, “Gjeografia”, mes fiseve ilire.

Pra, Filipi i Dytë, babain e kishte maqedonas dhe nënën ilire. Ai u martua me Olimpinë, e cila ishte bijë e Neoptolemit, mbretit të fisit ilir të Molosëve të Epirit dhe e një nëne po ashtu ilire.

Sa i takon tezës greke, ajo është qartësuar nga Demosteni. Oratori i njohur grek është shprehur në këtë mënyrë për Filipin e Dytë: “Filipi jo vetëm që nuk është grek dhe kurrfarë lidhje farefisnore nuk ka me grekët, por është një murtajë e ndyrë e Maqedonisë”.

Pra, përmes të dhënave që vijnë nga këta autorë kuptohet se Aleksandri kishte tre gjyshër ilirë dhe vetëm një maqedonas. Sigurisht flasim për maqedonasit e lashtë dhe jo të sotmit. Straboni, historian grek i lashtësisë, ngulmon se maqedonasit dhe ilirët flisnin gjuhë të ngjashme, kuptoheshin e kishin zakone të përbashkëta.

Tarm, O. Hoffman, A. Jard, Geigand, O. Muller, P. Jougeut, H. Hirt, Edit Durham… etj. shprehin pikëpamjet e tyre se etnia dhe gjuha e maqedonasve të lashtë ka qenë ilire dhe ilirishte. Sigurisht, nuk mund të ketë qenë sllave sa kohë ajo ka ardhur shekuj më vonë.

Një tjetër element që lidhet me identitetin ilir të Aleksandrit  vjen nga  Curt Rufi. Në veprën e tij “Aleksandri i madh”, e përbërë nga plot 10 libra, historiani romak shkruan: “Pastaj, duke pasur frikë për të ëmën dhe për vete, Aleksandri vajti te mbreti i Ilirisë  dhe e la të ëmën në Epir, ku ishte mbret vëllai i saj”. Nga kjo kuptohet se familja e nënës së Aleksandrit ka pasur pushtetin për disa gjenerata në fisin e Molosëve dhe se vetë prijësi i madh ishte nip në këtë dinasti ilire.

Shkrimtari grek, Pausania, shkruan kështu në një nga veprat e tij: “Në Athinë gjendet portreti i Pirros. Ky nuk i ngjante fare Aleksandrit me të cilin ishte fis. Në të vërtetë, Pirro ishte biri i Aiakidit, të birit të Arrybës, dhe Aleksandri ishte djali i Olimpisë, së bijës së Naoptolemit”.

Pra, për ta thjeshtëzuar, Aleksandri i madh dhe Pirro i Epirit vinin nga i njëjti fis, siç pohohet edhe nga Pausania.

Në përfundim, nëse Aleksandri nuk ishte grek, siç pohon Demosteni, por edhe shumë autorë të tjerë, kishte tre gjyshër ilirë e nga krahu tjetër vetë ilirët kuptoheshin nga ana gjuhësore me maqedonasit, çfarë ishte Aleksandri?

Sigurisht, në këtë shkrim nuk sollëm edhe të dhëna të tjera që vijnë përmes një analize të detajuar gjuhësore, si p.sh. prejardhja e emrit Olimbi, Aleksandër apo Meriamun, siç shkruhet në një mbishkrim të gjetur në Egjipt.

Fakt është se Aleksandri qartazi ka rrënjë ilire, ashtu siç maqedonasit e lashtë janë një degëzim i tyre. E këtë nuk e themi ne, por faktet, sekush mund të hulumtojë e të nxjerrë sërish këto pohime nga autorët antikë./Blitz.al/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme