Pije, produkte ushqimore, aksesorë të ndryshëm dhe herë pas here duhan, janë disa prej mallrave që së fundmi po hyjnë ilegalisht nga Serbia në Kosovë, pohojnë nga Doganat e Kosovës.
Kontrabandistët po shfrytëzojnë shtigje të ndryshme malore që t’i fusin ilegalisht në Kosovë këto mallra.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë se kontrabandistët shfrytëzojnë automjete kryesisht të vogla, në mënyrë që të lëvizin më lehtë në rrugë malore.
Pjesa në veri të Kosovës, që kufizohet me Serbinë, sipas Doganës së Kosovës, konsiderohet si zona më e prekur nga kontrabanda.
Policia dhe Dogana e Kosovës gjatë një aksioni kundër kontrabandës së mallrave, të zhvilluar më 13 tetor në disa rajone të Kosovës – përfshirë edhe komunat në veri – sekuestruan mallra dhe dëshmi të tjera në vlerë qindra mijëra eurosh.
Stavileci, ndërkaq tregon se Dogana, në bashkëpunim me misionin e Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë, KFOR, kanë vendosur bllokada në vendkalimet malore, që tashmë janë identifikuar si vende që përdoren për kontrabandimin e mallrave.
Dogana e Kosovës herë pas here ka sekuestruar mallra kontrabandë në zonat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, kryesisht pije alkoolike dhe jo-alkoolike, mallra ushqimore dhe teknikë të ndryshme.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë thënë se po punojnë në parandalimin e kontrabandës. Por, sipas tij, ajo vazhdon të jetë prezentë.
“Kontrabandimi është bërë në forma të ndryshme duke nisur nga ato mjetet më primitive, përveç kafshëve e deri të pjesa tjetër (mjeteve) që kanë qenë me derivate apo të formave të veturave më të vogla. Do të thotë, të gjitha këto janë përdorur për të futur mallra të caktuara, sidomos mallra me akcizë”, thotë Rukiqi.
Produktet që kanë akcizë në Kosovë janë: pijet alkoolike, duhani, pijet energjike, nafta dhe produkte të tjera.
Rukiqi shton se çdo aktivitet ekonomik joformal dhe mospengimi i kontrabandimit të mallrave, po e dëmtojnë ekonominë e Kosovës.
“Vazhdimisht është luftuar (kontrabanda e mallrave), thuhet se ka pasur rënie të dukshme te pjesa e cigareve (duhanit) apo te pjesa e derivateve, po në disa kategori tjera, sigurisht që ka vazhduar”, shton ai.
Pavarësisht shqetësimeve për kontrabandim të mallrave të ndryshme, shifrat e prezantuara nga Dogana e Kosovës, flasin për një rritje të të hyrave gjatë këtij viti. Në periudhën janar-shtator, Dogana ka arritur të inkasojë mbi një miliard euro apo 33 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.