Zgjerimi i BE është një çështje që shkakton ndarje – dyshimet në lidhje me procesin luajtën një rol në referendumin e vitit 2016 për Brexit, si dhe në zgjedhjet e përgjithshme në Francë, Austri dhe gjetkë.
Tani, blloku po ecën përpara drejt një prej zgjerimeve më të debatuar deri më sot, duke parashtruar plane për të përfshirë gjashtë vende të Ballkanit perëndimor – një rajon i goditur rëndë nga luftërat në vitet ’90 dhe që edhe sot e kësaj dite, është i munduar prej mosmarrëveshjeve territoriale.
Një strategji e Bashkimit Evropian në shkurt, vendosi vitin 2025 si datë për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi – dy vendet më të përparuar në këtë proces – dhe për Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.
Ky do të ishte zgjerimi më i madh i BE, sa i përket numrit të shteteve, që nga “big bang”-u i vitit 2006, i cili përfshiu në Union 10 shtete kryesisht ish komuniste. Po çfarë ndryshimi do të sjellë për bllokun? Dhe sa larg duhet të shkojnë shtetet e rajonit, për të përmbushur standartet e pranimit?
Jo shumë të mëdhenj…
Popullsia e përgjithshme e Ballkanit perëndimor është afro 18 milion banorë. Kjo është më pak se 20 milionë banorët e Rumanisë (e cila u anëtarësua në vitin 2007, bashkë me Bullgarinë).
Luftërat dhe varfëria kanë shkaktuar emigrim të madh për rajonin në vitet 1990 dhe 2000. Sot, sipas të dhënave të Bankës Botërore, afro një në katër njerëz nga Ballkani perëndimor, jetojnë jashtë vendit të lindjes.
Po kështu, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nuk janë veçanërisht të mëdha. Prodhimi i tyre është sa 1 përqind e GDP të BE-së. Në nivelet e sotme, pesë nga gjashtë prej këtyre vendeve do të ishin mes tetë ekonomive më të vogla të BE. Përjashtimi është Serbia, ekonomia më e madhe e rajonit, e cila ka GDP më të madh se dy anëtarët e BE, Kroacia dhe Lituania.
Rrugë e gjatë
Hendeku mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE ka shkaktuar shqetësim të konsiderueshëm. Në tërësi, GDP për frymë i rajonit është vetëm sa një e treta e mesatarit të 28 vendeve anëtare të bllokut.
Por me shtatë vite deri në 2025, ka kohë për të reduktuar një pjesë të hendekut. Shtatë vite para se të anëtarësoheshin, Bullgaria dhe Rumania kishin nivele më të ulëta të GDP për frymë, krahasuar me mesataren e BE, se sa Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia sot, përcjell bota.al.
Sipas një postimi të fundit në një blog nga Marek Dabrovski dhe Yana Myachenkova të think tank-ut Bruegel, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë përpara në afrimin me vendet e BE, sidomos gjatë krizës financiare të 2007-2008.
Ai përmirësim bëri goxha ndryshim për disa prej popujve më të varfër të rajonit. Në fillim të viteve 2000, pothuaj një në tre njerëz në Ballkanin perëndimor jetonin me më pak se 5 USD në ditë, por ky raport ra në një në pesë, në vitin 2008, sipas Bankës Botërore.
Ky reduktim i hendekut humbi ritëm me krizën financiare dhe është ngadalësuar gjatë dekadës së fundit.
Lidhje të forta me BE
Mesatarisht, 70% e eksporteve të mallrave të rajonit shkojnë në BE, një përqindje që është rritur gjatë dekadës së fundit. Federica Mogherini, kreu i politikës së jashtme të Unionit, kohët e fundit përgëzoi për “lidhjet ekonomike… që janë më të forta se kurrë”.
Investimet nga kompanitë e BE kanë krijuar më shumë se 240 mijë vende pune në Ballkanin perëndimor, që nga viti 2003, ose pothuaj 60 përqind e të gjithë vendeve të punës të krijuar prej investimeve të huaja në rajon.
Rajoni tashmë merr financime nga BE. Parashikohet të përftojë 1.07 miliardë Euro fonde para anëtarësimit këtë vit, ndërkohë që ka përftuar mbi 9 miliard euro gjatë dekadës së fundit.
Sa të vështira janë kushtet?
Mogherini thekson se anëtarësimi i Ballkanit perëndimor nuk është aspak gjë e mbyllur, përderisa “procesi është i bazuar në meritat dhe varet prej ritmit dhe suksesit të negociatave dhe reformave”. Asnjë prej shteteve sot nuk i përmbush kriteret e anëtarësimit.
Prioritet i madh, sipas Komisionit Evropian, është forcimi i sundimit të ligjit. Në një raport të muajit shkurt, ai tha se gjashtë shtete “shfaqin elemente të qarta të kapjes së shtetit, duke përfshirë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsion në të gjithë nivelet e qeverisë dhe administratës”. Të gjithë renditetn në fund të listës së perceptimit për korrupsionin ndër shtetet e Evropës.
Dokumenti i BE shton se asnjë prej vendeve “nuk mund të konsiderohen aktualisht një ekonomi tregu funksionale”, por shton se perspektiva e anëtarësimit në BE ka ndihmuar për të bërë progres domethënës. Banka Botërore konkludon se të gjithë këta vende janë bërë më të mirë për të bërë biznes gjatë dekadës së fundit, ku Maqedonia zë vendin e parë.
Mosmarrëveshjet gjeografike mbeten një tjetër çështje e pazgjidhur, një trashëgimi kjo e të kaluarës plot luftëra të rajonit. “Ka shumë mosmarrëveshje kufitare në Ballkanin perëndimor dhe ato duhet të zgjidhen, përpara se të hedhim një tjetër hap”, deklaroi Jean Claude Juncker, president i Komisionit Evropian, gjatë takimit të përvitshëm të Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Në fund, këta shtetet duhet të dëshirojnë të anëtarësohen në BE. Siç vëren Komisioni, anëtarësimi kërkon “konsensus politik dhe shoqëror dhe mbështetje prej zemrave dhe mendjeve të popujve” – diçka që nuk ka qenë gjithmonë e dhënë, në të kaluarën.