Gazeta britanike “The Guardian” më 2010 kishte publikuar një artikull për raportin e Këshillit të Evropës mbi krimin e organizuar, ku thuhej se ish-kryeministri i Kosovës, tani presidenti Hashim Thaçi ishte kreu i një grupi shqiptar të tipit mafia, që ishte përgjegjës për kontrabandimin e armëve, drogës dhe organeve njerëzore”.
Në atë raport që “The Guardian” kishte publikuar më 2010, “Hashim Thaçi është identifikuar si ‘bosi’ i një rrjeti që filloi operimin me reket kriminal pas luftës së Kosovës dhe mbajti ndikimin e tij të fuqishëm mbi qeverisjen e vendit që nga ajo kohë”.
Raporti i hetimeve dyvjeçare, që citon FBI-në dhe shërbimet tjera të fshehta, ishte siguruar nga “The Guardian”. Raporti thuhet se përmend Thaçin si një njeri që në dekadën e fundit ka ushtruar “kontroll të dhunshëm” mbi tregun e heroinës.
Figurat nga rrethi i afërt i Thaçit, shkruan gazeta, janë akuzuar se pas luftës, “në mënyrë të fshehtë kanë dërguar të burgosur përtej kufirit me Shqipërinë, ku disa serbë thuhet se janë vrarë për shkak të veshkave të tyre, të cilat janë shitur në tregun e zi”.
Hetuesi për të drejtat e njeriut, Dik Marti, që ka hulumtuar rastin, kishte paraqitur raportin para diplomatëve evropianë të të gjitha 47 vendeve anëtare, në një takim që mbahet në Paris këtë të enjte.
Raporti sugjeronte se “lidhjet e Thaçit me krimin e organizuar datojnë që më shumë se një dekadë, kur ata që ishin lojalë ndaj grupit të tij të Drenicës, u bënë fraksion dominues brenda UÇK-së”, transmeton “The Guardian”.
Në raport thuhej se epërsia e grupit ndaj grupeve të tjera më të vogla në lëvizjen guerile mundësoi që nga viti 1998, Grupi i Drenicës të marrë kontrollin ndaj “ndërmarrjeve më të paligjshme kriminale”, në të cilat ishin të përfshirë kosovarët në jug të kufirit në Shqipëri.
Ndërsa kritikoheshin masakrat serbe, Marti thoshte se komuniteti ndërkombëtar zgjodhi që t’i injorojë dyshimet për krime lufte të kryera nga UÇK-ja, “duke vendosur në vend të kësaj çmimin e arritjes së një lloj stabiliteti afat-shkurtër”, transmeton në vazhdim “The Guardian”.
Ai thoshte se “gjatë luftës së Kosovës dhe pothuaj një vit pas, forcat e Thaçit u hakmorën ndaj serbëve, romëve dhe shqiptarëve, që akuzoheshin se kishin ‘bashkëpunuar’ me armikun”.
“The Guardian” shkruante më 2010 se Thaçi dhe katër anëtarë të tjerë të Grupit të Drenicës përmenden në raport se kanë kryer “vrasje, burgime, rrahje dhe frikësime”.
Gjithnjë, sipas “The Guardian”, ky fraksion i ashpër i UÇK-së ka pasur fuqi të konsiderueshme në Qeverinë e Kosovës në dekadën e fundit, edhe me mbështetjen e fuqive perëndimore, që donin të siguronin stabilitet në shtetin e sapolindur.
Duke cituar raportin e Dik Martit, gazeta “The Guardian” shkruante se “ish komandantët e UÇK-së kanë luajtur rol thelbësor në aktivitetet kriminale në dekadën e fundit”.
“Në raportet konfidenciale që kanë qarkulluar për më shumë se një dekadë kushtuar luftës ndaj kontrabandimit me drogë, të paktën pesë shtete e kanë përmendur Hashim Thaçin dhe anëtarët tjerë të Grupit të Drenicës se kanë ushtruar kontroll të dhunshëm mbi tregun e heroinës dhe narkotikëve tjerë”, citon “The Guardian” raportin e përpiluar nga Dik Marti.
Marti kishte shtuar se “Thaçi dhe anëtarët tjerë të Grupit të Drenicës janë përmendur në vazhdimësi në raportet e shërbimeve të fshehta si “lojtarët kryesorë” në strukturat e tipit mafioz të krimit të organizuar.
“Unë i kam ekzaminuar këto raporte të ndryshme voluminoze me tmerr dhe zemërim moral”, kishte thënë Marti.
“The Guardian” shkruante se raporti thekson se “UÇK-ja ka mbajtur kryesisht të burgosur serbë në një rrjet të fshehtë në 6 objekte të paraburgimit në Shqipërinë veriore”.
Grupi i Drenicës i Thaçit “bart përgjegjësi të lartë për të burgosurit ‘ad-hoc’ dhe për fatin e atyre që i kanë mbajtur në burgje”, citohen pjesë të raportit nga “The Guardian”.
Gazeta britanike, duke cituar raportin, sqaron se bëhet fjalë për një “grusht” të burgosurish, që thuhet se “janë transferuar në një burg të improvizuar në veri të Tiranës, kur janë vrarë për t’iu marrë veshkat”.
Në raport, sipas gazetës “The Guardian”, konstatohet se “kur kirurgët e transplantimit kanë konfirmuar se janë në pozicion dhe të gatshëm për të vepruar, të burgosurit janë sjellë në ‘shtëpinë e sigurt’ veç e veç, për t’u vrarë menjëherë nga një pjesëtar i armatosur i UÇK-së, ndërsa trupat e tyre janë transportuar me shpejtësi në klinikë”.
Marti ishte kritik ndaj fuqive perëndimore, të cilat kanë ofruar një rol mbikëqyrës në bërjen e Kosovës shtet, se kanë dështuar që t’i mbajnë përgjegjëse figurat e larta, përfshirë edhe vetë Thaçin.
Ai kishte kritikuar për “ngurrim të vullnetit politik nga ana e komunitetit ndërkombëtar, që në mënyrë efektive t’i ndjekë ish-liderët e UÇK-së”.
Dik Marti, sipas gazetës “The Guardian”, kishte thënë se “shenjat e bashkëpunimit në mes të klasave kriminale dhe përgjegjësve të zyrave më të larta politike dhe institucionale, janë të shumta dhe shumë serioze për t’u injoruar”.
“Është e drejtë fundamentale e qytetarëve të Kosovës që të dinë të vërtetën, gjithë të vërtetën, dhe po ashtu është kusht i domosdoshëm për ripajtimin në mes të komuniteteve dhe të ardhmes prosperuese të vendit”, citohet të ketë thënë Marti.
Nëse raporti miratohet formalisht nga komiteti këtë javë, gjetjet do të shkojnë në Asamblenë Parlamentare në vitin e ardhshëm, përfundon shkrimin gazeta britanike “The Guardian”.