Një shprehje e njohur thotë se është e vështirë të kuptosh llumin kur je zhytur brenda tij. Vetëm kur ngrihesh mbi të, e sheh më qartë jo vetëm llumin, por edhe gjëra të tjera më të rënda.
Pikërisht për këtë arsye, nëse do të kuptosh më mirë se çfarë po ndodh në Shqipëri, duhet të lexosh mediat perëndimore, që kanë raportuar gjerësisht për atë që po ndodh me protestat e opozitës.
Kjo, jo vetëm për shkak të distancës higjienike nga zhvillimet në Shqipëri, as edhe sepse nuk janë nën presionin dhe censurën direkte dhe indirekte të qeverisë shqiptare, as sepse marrin tendera dhe fonde nga Edi Rama, por sepse janë trajnuar për të kuptuar sa e rëndësishme është demokracia dhe se si duhet mbrojtur ajo.
Nëse u hedh një vështrim medieve të shumta që kanë raportuar për protestat e fundit të opozitës në Shqipëri, duke nisur nga mediat italiane, gjermane, franceze, spanjolle, holandeze, belge, britanike, amerikane e shumë të tjera, kupton qartë dy gjëra.
E para, këto media theksojnë faktin se protestat janë masive, çka do të thotë se shqiptarët po reagojnë kundër korrupsionit gjigant të Edi Ramës dhe shpurës së tij, dhe ky është një lajm i mirë për mbarë perëndimorët që besojnë tek demokracia.
E dyta, këto media nënvizojnë se njerëzit janë të zemëruar për shkak të situatës ku ndodhet Shqipëria. Dhe ky zemërim prodhon edhe reagim.
Nuk gjen askund në këto media të flitet për shkelje nga protestuesit, për krime të kryera prej tyre, për teprime apo për abuzime. Askund!
Prandaj, e vendosur në këtë kontekst, vala e protestave që ka përfshirë Shqipërinë, për mediat ndërkombëtare, sidomos për ato perëndimore, është një ogur mjaft i mirë për vendin.
Imagjinoni për një moment sikur agjencitë AP, Reuters, AFP, DPA e me qindra televizione, gazeta e portale ndërkombëtare të raportonin për skandalin e fundit korruptiv Rama-Balluku dhe të mos kishte asnjë lajm se shoqëria shqiptare ka reaguar.
Imagjinoni se si do dukeshim në sytë e mbarë botës.
Prandaj mos e besoni propagandën e ulët të medieve të qeverisë se protestat po dëmtojnë imazhin e vendit. Ato po e ngrenë lart atë, madje po na bëjnë një nder të gjithëve, duke treguar se dimë të reagojmë.
E kundërta do ishte një turp i vërtetë.
Opozita dhe qytetarët pas saj, duke marrë në dorë flamurin e reagimit kundër korrupsionit, po na nderojnë.
‘Kur të shfaqet e keqja, shpëtimi nuk është të presësh, por të veprosh’, thoshte Plutarku shumë e shumë kohë më parë.
Respekt dhe vlerësim për të gjithë ata që veprojnë!
© SYRI.net



