Politologu Shkëlzen Gashi, që shquhet për arkiva të pasura të dokumenteve e deklaratave të politikanëve në këto dy dekadat e fundit, ka shkëputur në profilin e tij në Facebook një deklaratë të tash presidentit të shtetit, Hashim Thaçi, dhënë televizionit publik në qershor të vitit 2000.
Sipas Gashit, Thaçi aty kishte folur rreth vrasjes së serbëve në Lipjan, Graçanicë e Cërnicë.
“Kemi informacione se vrasjen e serbëve në Lipjan, UNMIK-u dhe KFOR-i e di se kush janë, pse nuk arrestohen ata njerëz? Pse akuzohen shqiptarët? Rasti në Cërnicë, dihet se kush e ka ba, pse nuk arrestohen ata njerëz? Rasti në Graçanicë, si ka mundësi që në të njëjtën kohë të jetë aty edhe kamera e televizionit të Beogradit, edhe bomba? Është e padrejtë të akuzohen shqiptarët për hakmarrje. – Hashim Thaçi, qershor 2000, RTK”, ka cituar Gashi në profilin e tij në Facebook, përcjell koha.net. “Deklaratat e Hashim Thaçit, 16 vjet më vonë, te varrezat e serbëve në Lipjan, Cërnicë, Graçanicë, e me radhë, besoj i dini”, ka shkruar më tej Gashi.
Kujtojmë se pak ditë pasi kishte marrë detyrën në krye të shtetit, Hashim Thaçi kishe bërë vizita te pllakat përkujtimore të serbëve në disa vende, e ku shkruhet se ata janë viktima të terroristëve shqiptarë. Më 20 korrik ishte përkulur para pllakës që kishte emrat e 14 qytetarëve serbë të vrarë menjëherë pas luftës, në fshatin Grackë të Lipjanit. Kishte vendosur aty edhe kurorë lulesh.
Këtë akt kriminal, presidenti Thaçi e ka quajtur veprim jo vetëm kundër viktimave që ishin duke punuar në arë, por edhe akt kundër lirisë së Kosovës dhe të ardhmes së saj demokratike.
“Sot lutem me dhimbje dhe shpreh edhe një herë keqardhje për të gjitha viktimat gjatë dhe pas luftës, të të gjitha komuniteteve. Çdo krim duhet të zbardhet dhe të ndëshkohet. Krimi është krim kundër kujtdo qoftë të jetë bërë apo nga kushdo qoftë që është kryer”, kishte thënë presidenti Thaçi.
Gjithashtu, presidenti Thaçi ka thënë se duhet të zbardhet njëherë e përgjithmonë fati i të gjithë të zhdukurve, qofshin shqiptarë, serbë, romë apo çfarëdo komuniteti tjetër.
“Të gjithë kemi përgjegjësi të punojmë në këtë drejtim. Kemi përgjegjësi para familjeve të tyre dhe të ardhmes së fëmijëve tonë. Ne duhet ta ndihmojmë njeri-tjetrin. Dhimbja e çdo nëne është e njëjtë për humbjen e familjarëve të vet”, është shprehur presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se sot, kur po punojmë për të ndërtuar paqe, për pajtim dhe bashkëpunim në mes të popujve të rajonit tonë është e rëndësishme të theksojmë se për pajtim të sinqertë është e nevojshme drejtësia.
“Si Kosovë, kemi arritur shumë në këto 17 vite që nga lufta. Kemi filluar të ndërtojmë ura të komunikimit dhe të bashkëpunimit. Në një ditë të afërt, kjo do të sjellë besim dhe pajtim mes komuniteteve dhe popujve”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka theksuar se vetëm duke ngadhënjyer drejtësia do të ndodhë pajtimi, e pajtimi do të ndodhë në një të ardhme të afërt, sepse ka vullnet për këtë.
“Vetëm pajtimi dhe bashkëpunimi e bën Kosovën dhe rajonin vërtetë europian”, ka përfunduar presidenti Thaçi.
Në gusht kishte vizituar fshatin Gorazhdec të Komunës së Pejës, ku ka thënë se ka nderuar të rinjtë serbë të vrarë në vitin 2003, rrethanat e vrasjes së të cilëve ende mbeten të pazbuluara.
Pllaka përkujtimore ku Thaçi vuri kurora lulesh, përveç se mban emrat e 2 të rinjve serbë të vrarë më 2003, mban edhe emra të serbëve të vrarë gjatë luftimeve me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe nga bombardimet e NATO-s më 1998 dhe 1999.
Një gjë që bie në sy në këtë lapidar është mbishkrimi në përkujtim të këtyre viktimave, që thotë: “Nuk është aq e tmerrshme të vdesësh, sa është e tmerrshme të varrosesh për së gjalli. Viktimat e terroristëve shqiptarë”.
Në fotografitë e vendosura në këtë lapidar, mund të shihen edhe individë me uniforma policore të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Këto veprime të Thaçit kishin ngjallur jo pak reagime nga personalitete të ndryshme në vend.
© KOHA.