CIA: Ja kush ishin 5 arsyet që sollën fundin e bashkëpunimit me Kinën, më 1977 u rritën ndjeshëm pakënaqësitë ndaj Enver Hoxhës

CIA ka renditur 5 arsye kryesore q mund të kenë sjellë fundin e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë më 1977. Në vijim të dokumenteve të publikuar një ditë më parë, gazeta po tregon detaje mbi përplasjet e Hoxhës me drejtuesit e Pekinit. Po ashtu CIA tregon se më 1977, pakënaqësitë ndaj diktatorit Hoxha u rritën.

Gusht 1977

Arsyet e tensioneve me Kinën

Nga provat që kemi nuk mund të përcaktojmë motivimin e saktë të Shqipërisë për sfidën ndaj aleatit të saj, por veprimet e tyre duken gjithsesi të pamenduara pasi me siguri do të sjellin humbjen e plotë të ndihmës kineze. Megjithëse nuk ka një faktor kryesor për zhvillimin, motivet e listuara më poshtë besohet se kanë kontribuar në vendimin. Sensi i ashpër dhe delikat i pavarësisë së Shqipërisë e bën të refuzojë çdo formë nënshtrimi nga fuqitë e huaja, qoftë dhe një aleat i ngushtë si Kina, apo më herët BRSS. Që prej fillimit të viteve 1970 Kina nisi të ndërhynte në punët e brendshme shqiptare. Në fillim të këtij viti Tirana i është referuar njëfarë bashkëpunimi të Kinës me elementë antiparti në Shqipëri që rrjedhimisht janë spastruar. Shqipëria gjithashtu mund të jetë zhgënjyer ngaqë ka kuptuar se rëndësia e saj si aleat për Kinën është reduktuar. Përmirësimi i viteve të fundit i lidhjeve të Kinës me Jugosllavinë me siguri ka përkeqësuar zhgënjimin e Tiranës. Shqiptarët trumbetojnë me të madhe qasjen e tyre parimore në politikën e jashtme, përballë asaj që ata quajnë qasje oportuniste të Kinës në lidhjet me Perëndimin dhe SHBA. Shqipëria është gjithashtu duke reaguar me hakmarrje ndaj vështirësive ekonomike që ka sjellë reduktimi ose ndërprerja e ndihmës kineze, të cilët përsëri shqiptarët e lidhin me oportunizmin e Kinës. Pastërtia ideologjike e pretenduar nga shqiptarët bën që ata të sfidojnë Kinën për kreun e degëzimit marksist-leninist të lëvizjes komuniste, në krahasim me ideologjinë “e papastër” kineze.

Shpjegimet e Kinës

Edhe shpjegimet për tolerimin që Kina i bën sfidës shqiptare janë të një natyre të ngjashme: Prej fillimit të viteve 1970, Shqipëria ka humbur rëndësinë e saj si aleatja e vetme ideologjike e Pekinit, por ata mund të besojnë se prezenca e tyre në vend është një arsye për të mbajtur larg sovjetikët. Pasi ka triumfuar ndaj rivalëve të saj kryesorë, udhëheqja kineze tashmë nuk shikon rrezik serioz në sfidën ideologjike të Shqipërisë. As kritikat për politikën e jashtme nuk e prishin vëmendjen e Kinës nga qasja pragmatike e diplomacisë. Duke parë kontratat e shumta të Kinës me qeveri të tjera, Pekini nuk e konsideron më thelbësore mbështetjen e partive të vogla marksiste. Por meqenëse konflikti me Moskën e detyron të ruajë njëfarë pastërtie ideologjike, Kina mund të vihet në siklet nga akuzat shqiptare për “oportunizëm”. Me financat e saj superiore Kina mund t’i kundërshtojë përpjekjet shqiptare duke përçarë grupin e partive të vogla dhe duket se ka nisur tashmë punën për ngritjen e partive kukulla në mbrojtje të politikave të saj. Pasi ka demonstruar se nuk e ul veten në nivelin e akuzave shqiptare, Kina duket se po e ruan opsionin e kundërveprimit atëherë kur të jetë më e leverdishme për të. Reagimi fillestar i Pekinit me shumë gjasa do të jetë një paralajmërim, ose mund të përfitojnë nga oferta shqiptare për bisedime për të parë temperamentin e tyre dhe për t’u dukur tolerantë në publik.

Trazirat e brendshme shqiptare

Me gjithë aparencat e stabilitetit politik në diktaturën e tyre totalitare, ka prova për trazira brenda udhëheqjes shqiptare. Vetëm në katër vitet e fundit nga udhëheqja janë spastruar një numër i madh zyrtarësh të lartë e të mesëm. Anëtarë të Byrosë politike janë larguar me akuza të sajuara në spastrimet e kryera në stabilimetin kulturor, ekonomik dhe ushtarak. Qëllimi i vërtetë i spastrimeve nuk njihet por duket se kanë të bëjnë me ekzistencën e pakënaqësisë së nivelit të lartë me politikat e Hoxhës dhe me shqetësimin për vështirësitë ekonomike që prej ndërprerjes së asistencës kineze. Udhëheqja e partisë është e moshuar dhe autoriteti i Enver Hoxhës është zvogëluar muajt e fundit. Udhëheqja është nën presion nga personat më të rinj që kanë hyrë në radhët e partisë pas spastrimeve. Megjithëse pasojat në parti nuk do të duken së shpejti, gjenerata e re duket se po fillon të lërë shenjë. Faza kulturore e spastrimeve ka të bëjë me eliminimin e indolencave perëndimore që kanë depërtuar në vend. Disa raste të relaksimit të barrierave me jashtë kanë shkaktuar një fluks tendencash liberale prandaj regjimi është tërhequr shpejt prapa. Një nga “hapjet” e fundit ishte ajo e fillimi të viteve 1970 ku Partia Komuniste tentoi eliminimin e zakoneve të prapambetura shoqërore pro që rrjedhimisht inkurajoi ndryshimet drejt liberalizimit. Po ashtu liberalizim sollën dhe klima e qetësisë mes SHBA dhe vendeve komuniste apo ulja e armiqësisë së Kinës ndaj Perëndimit dhe sidomos ndaj SHBA në 1972, si dhe ardhja e televizionit në Shqipëri. Ky zhvillim i fundit solli ndjekjen e programeve greke e jugosllave në Shqipëri që e njohën popullatën me tendencat e huaja kulturore. Por aftësia e qeverisë për të mbyllur me shpejtësi këto hapje dhe për të rivendosur ideologjinë dhe kulturën korrekte komuniste, tregon se natyra totalitare e regjimit nuk ishte dobësuar nga këto influenca të përkohshme.

Fazat e spastrimeve në parti

Faza e parë e spastrimeve në 1973 vuri në shënjestër ata që ishin përgjegjës për politikat “e gabuara” kulturore. Funksionarë të lartë të partisë në Tiranë, të radio-televizionit, të organizatave të të rinjve u larguan nga partia, siç ndodhi dhe me të gjithë bordin drejtues të Lidhjes së Shqiptarëve dhe Artistëve, duke rikthyer në fuqi korrektësinë ideologjike që është ruajtur prej atëherë. Në 1974 nisi faza e dytë e spastrimeve që përfshiu forcat ushtarake. Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik ushtria e Shqipërisë varej tërësisht nga Kina për pajisje e furnizime. Por me reduktimin e asistencës kineze stabilimenti ushtarak u dobësua në aftësitë e tij për t’i rezistuar agresionit. Gjithashtu fakti që BRSS kishte fituar akses në ambientet e riparimeve detare të Jugosllavisë në 1974, përforcoi më shumë dyshimet shqiptare për aftësitë e mbrojtjes. Arsyeja e vërtetë e spastrimit të ministrit të mbrojtjes Balluku dhe bashkëpunëtorëve të tij në 1974 mbetet e paqartë. Akuzat ndaj tyre për tradhti dhe bashkëpunim me Moskën nuk janë mbështetur me fakte. Balluku gjithashtu ka pasur lidhje të forta me ushtarakët kinezë dhe nuk ka shumë gjasa që të ketë tentuar të zëvendësojë asistencën kineze me armë sovjetike. Por mund të jetë e mundur që Balluku dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë të kenë rekomanduar zgjerimin e lidhjeve ekonomike e politike me Perëndimin, në të njëjtën mënyrë që po bënte dhe Kina. Një propozim i tillë i ardhur nga ushtria mund të jetë interpretuar nga udhëheqësi Hoxha si një tentativë për të dëmtuar kontrollin e partisë mbi ushtrinë. Faza e tretë ishte ajo e spastrimeve ekonomike e cila ishte nga më të rëndat që goditi stabilimentin e dobët ekonomik të vendit dhe kishte lidhje të drejtpërdrejta me ndërprerjen e ndihmave të Kinës gjatë planit pesë-vjeçar 1971-1975. Kina kishte dertuar në Shqipëri një kombinat metalurgjik në Elbasan, dy rafineri nafte në Ballsh, një impiant përpunim kromi, një fabrikë fertilizuesish azotikë dhe një fabrikë fertilizuesish superfosfati. Megjithë kontributet kineze në formën e fabrikave të plota dhe pajisjeve të shumta, pas prishjes së marrëdhënieve ekonomia e vendit nisi tkurrjen. Masa e saktë e rënies nuk duhet me saktësi por treguesit kryesorë të saj janë ulja e ndjeshme e pritshmërive për planin pesë-vjeçar në krahasim me atë pararendës. Në këtë kontribuan vonesat e ndihmave nga Kina. Në vitet 1975 gjendja e vështirë e detyroi disa anëtarë të qeverisë të dilnin në mbrojtje të masave të hapjes me vende të tjera dhe kundër izolimit ekonomik. Kjo mund të ketë alarmuar Hoxhën dhe radikalët e tij të afërt të cilët nisën spastrimet në stabilimentin ekonomik në 1975. Fillimisht spastrimet dukej se po forconin kapjen e pushtetit në duar të “gardës së vjetër” të Hoxhës, por tashmë në vitin e tij të 69-të opozita e tij ishte dobësuar disi dhe zërat e opozicionit dëgjoheshin herë pas herë brenda stabilimentit. Kushtetuta e re shqiptare e publikuar në 1976 shfaqte ndryshime mbi vlerësimin e asistencës kineze apo të politikës së vetëmjaftueshmërisë. Grupi radikal kishte arritur të përfshinte në tekste rëndësinë e vetëmjaftueshmërisë si forca kryesore për ndërtimin socialist, pa iu referuar fare ndihmës kineze. Ndërsa Hoxha kishte përmendur “ndihmën vetëmohuese” të Kinës në kundërshtim me mbështetjen vetëm në burimet e vogla të vendit. Garda e vjetër edhe pse ishte ende aktive, ashtu si Hoxha është plakur. Mehmet Shehu që konsiderohet si pasues i Hoxhës, është vetë 64 vjeç dhe ka probleme shëndetësore që ndoshta e s’kualifikojnë nga pasimi i postit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme