Dy qytetarët e plagosur të premten pasdite në fshatin Radishevë të Skenderajt janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Që nga e premtja ata gjenden në kujdes intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
D.S. dhe bashkëshortja e tij, F.S mbetën të plagosur rënd pasditen e së premtes, nga i dyshuari Xh.T, i cili paraprakisht kishte lënë për vdekje gruan e tij në shtëpi në Runikë të Skenderajt.
Zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu ka thënë për Gazetën Express se gjendja e çiftit bashkëshortor nga Skenderaj, është e rend.
“Mund të ju konfirmojmë se dy raste nga ngjarja e ndodhur në Skenderaj, pas ndihmës së parë në kliniken emergjente, janë transferuar në mjekimin intensiv ku po vazhdojnë të mjekohen”, ka thënë Fazliu.
I dyshuari për vrasje fillimisht ka shtënë në gruan e tij në shtëpinë e tij në Runikë dhe më pas ka shkuar në fshatin Radishevë ku ka qëlluar baxhanakun dhe gruan e tij të cilët i ka lënë të plagosur.
Ai është arrestuar nga Policia e Kosovës ditën kur ndodhi ngjarja tragjike.