Autor: Xhelal Sveçla
Shqiptarët e Shqipërisë të angazhuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! po quhen “të ardhur” destabilizues në Kosovë. Për Turqinë dhe për shqiptarët që donin të rrinin të robëruar nën Turqi, “të ardhur” destabilizues kanë qenë edhe nxënësit që shkuan nga Kosova në normalen e Elbasanit në vitin 1909. Për Serbët dhe për shqiptarët që donin të qëndronin të robëruar nën Serbi, “të ardhur” destabillizues ishin edhe mësuesit toskë e gegë që më tej erdhën në Kosovë për të hapur shkollat shqipe. “I ardhur” destabilizues ishte edhe Bajo Topulli, që shkoi nga Gjirokastra në Manastir për të drejtuar gjimnazin e Manastirit, për të themeluar po aty në Manastir “Komitetin për Lirinë e Shqipërisë”, e më tutje për të marrë pjesë edhe në Kongresin e Manastirit. “I ardhur” destabilizues ishte edhe vëllai i tij, Çerçiç Topulli, që shkoi të luftonte kundër ushtrisë “Serbo-Malazeze” në Shkodër për lirinë e Shqipërisë. “Të ardhur” destabilizues për Serbinë dhe shqiptarët që donin stabilitet nën regjimin e Milosheviçit, ishin edhe ushtarët nga trojet shqiptare jashtë Kosove që erdhën për t’ju bashkuar luftës së “UÇK”-së. “Të ardhur” destabilizues ishin edhe shqiptarët që shkuan nga Kosova në Luginë të Preshevës e në Maqedoni për të luftuar kundër regjimeve fashiste që shtypnin shqipëtarët e këtyre viseve. “I ardhur” destabilizues ishte edhe heroi Tahir Sinani nga Kuksi që luftoi në Kosovë e dha jetën në Maqedoni. Me po të njëjtën logjikë, për regjimin e kriminalizuar në Kosovë dhe për ata shqiptarë që dëshirojnë të mbeten të nënshtruar nën këtë regjim, “të ardhur” destabilizues janë edhe ata shqiptarë nga Tirana, Presheva, Shkupi e Ulqini që janë angazhuar me Lëvizjen VETËVENDOSJE!.