Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, bëri të ditur se masa e “çmimit të garantuar” do të vazhdojë në tregjet në mbarë vendin edhe për të paktën edhe një muaj, pra gjatë muajit janar.
Si vendim ishte paraparë të përfundonte më 31 dhjetor të këtij viti, por ministri tha se çmimet e ngrira do të praktikohen deri në miratimin e Ligjit për praktika të padrejta tregtare.
Sipas Bekteshit, ky ligj i ri, i cili rregullon marrëdhëniet ndërmjet prodhuesve, distributorëve dhe shitësve, do të ulë çmimet, ndaj nuk do të ketë nevojë për vazhdimin e masës me çmime të ngrira.
“Në janar do të vlejnë masat për çmim të garantuar dhe të shpresojmë që Kuvendi ta miratojë ligjin që të fillojë të zbatohet nga fillimi i 1 shkurtit”, theksoi Bekteshi dhe shtoi se kjo do të shqyrtohet në Qeveri. (INA)