Gazetar: Zekirija Haxhiu
Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Ministria e Ekonomisë, në seancë qeveritare duhet të prezantojnë raportin lidhur me bojkotin e marketeve për shkak të çmimeve të larta të produkteve ushqimore. Në bazë të raportit, do të vendoset nëse dhe çfarë masash do të merren. Kryeministri Hristijan Mickoski nuk dha detaje për atë se çfarë masash mund të merren për parandalimin e shtrenjtimit të produkteve, por një nga masat që ai vet do të propozojë është që të gjitha supermarketet të publikojnë çmimet e produkteve në uebfaqet e tyre.
“Me të vërtetë nuk do të doja të spekuloj, por ja një masë që do të doja ta them dhe propozoj në Qeveri, është që të gjitha zinxhirët e super marketeve, hiper marketeve, të kenë uebfaqe publike dhe transparente, ku do t’i publikojnë të gjitha çmimet, të të gjitha produkteve të cilat i kanë në marketet e tyre, që të mund qytetarët të shohin se sa janë çmimet e tyre dhe vet të vendosin. Kështu e kanë disa vende në botë dhe të ndjekim ne ato trendë dhe të bëjmë ndonjë histogram të lëvizjes së çmimeve”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski këmbëngul në ndryshimin e metodologjisë së përllogaritjes së shportës konsumatore për arsye se siç thotë, aty ka produkte që do t’iu habisin.
“E sa i përket ndryshimit të ri të metodologjisë nga dhjetori i vitit 2023, ne nuk e kemi shqyrtuar. Pasi e morëm, kemi biseduar fillimisht me sindikatat. Ne nuk dolëm në publik të bëjmë estradë. Kemi biseduar me sindikatat dhe kur të vëreni se çfarë produktesh janë të përfshira brenda, me të vërtetë do të habiteni. Një pjesë e produkteve qytetarët fare nuk i shfrytëzojnë, apo nuk i shfrytëzojnë në atë sasi. Unë nuk e di se sa do të ishte shporta reale konsumatore, mund të jetë edhe më e madhe”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Përpos marketet, temë diskutimi do të jenë edhe operatorë të tjerë ekonomikë sikurse barnatore dhe dyqane për teknikë të bardhë. Sipas paralajmërimeve, deri në fund të javës së kaluar duhej të përfundonin kontrollet dhe analizat gjashtë mujore të Inspektoratit të Tregut, me të cilat janë përfshirë distributorët, furnitorët, prodhuesit dhe tregtarët. Është mbikëqyrur i gjithë procesi, është kontrolluar sa është marzha e vendosur nga tregtarët në periudhë për gjashtë muaj. Për shkak të çmimeve të larta, qytetarët tanimë dy të premte me radhë kanë bojkotuar marketet, me çka javën e parë shitja u ul për 46% ndërsa javën e dytë për 22%. /Alsat.mk