Çmimi i banesave në Shkup shënon rritje të vazhdueshme që nga fillimi i vitit. Në tremujorin e tretë të këtij viti, sipas të dhënave të Bankës Popullore, patundshmëritë janë shtrenjtuar për 5.9%, ndërsa në tremujorin e parë ishte 3.2% dhe në të dytin 4%.
Me këtë, metër katrori arriti të jetë 1.500 euro në Komunën Qendër dhe Karposh, ndërsa sipas disa ndërtues, çmimi mund të shkojë deri në 2.000 euro.
Rritja e çmimeve, sipas bartësve të bizneseve me patundshmëri ndodh për disa faktorë edhe atë: mospasje e lokacioneve për ndërtim, bllokimi i planeve urbanistike të detajuara, rritja e çmimit të materialeve ndërtimore, por edhe fuqia punëtorë që shumë shpesh shkon jashtë vendit.
Kryetari i Ndërtimtarisë pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore thotë se rritja e çmimeve në Shkup është rezultat i disa faktorëve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.
Si më të rëndësishmet numëron mospasjen e lokacioneve për ndërtim në zona atraktive, bllokimi i disa Planeve Urbanistike të Detajuara në disa komuna si dhe mosmiratimi i disa Planeve Urbanistike të Detajuara për formim të lokacioneve të reja nëpër komuna.