Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, lidhur me Rastin Dehari, ka deklaruar se deputetët janë mbledhur për të diskutuar për një rast tragjik, ndonëse për një debat të tillë, sipas tij, do të duhej pritur përfundimin e hetimeve, në mënyrë që të ishte i zbërthyer në detaje i tërë rrëfimi.
“Do të duhej që fillimisht ta kishim të përfunduar hetimin e sulmit me granatë mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës, për ç’gjë ishte arrestuar Astrit Dehari, bashkë me aktivistët tjerë të Vetëvendosjes, si i dyshuar për një vepër terroriste”, ka deklaruar Çoçaj.
“Do të duhej ta kishim të përfunduar hetimin për vdekjen e tij. Dhe, në rast të kualifikimit si vetëvrasje, ashtu siç thotë edhe Raporti i Autopsisë, do të duhej të kishim hetime shtesë – të cilat do ta ndriçonin edhe arsyen që e kishte çuar të ndjerin drejt një akti të tillë”, ka shtuar ai.
Deputeti i PDK-së është shprehur se Vetëvendosje, për fat të keq, qëllimshëm shpërfill provat, qëllimshëm keqinterpreton ngjarjen, qëllimshëm ndërton rrëfime të tilla që asaj i konvenojnë.
Ai ka thënë se Vetëvendosje nuk pranon raportin e autopsisë të mjekëve ligjorë, nuk pranon hetimet e autoriteteve të drejtësisë kosovare.
“Vetëvendosje, në fakt, nuk pranon asgjë të Kosovës, siç nuk ia pranon as shtetin, as flamurin, as simbolet. Vetëvendosje, në të vërtetë, pranon vetëm diçka nga Kosova. Paranë e saj. Atë nuk e refuzon. Deputetët e Vetëvendosjes i pranojnë pagat e Kosovës, ndërsa mohojnë gjithçka tjetër të Kosovës. Kjo është Vetëvendosje. Të gjitha mund t’i bëjnë. Por, është e pafalshme që të luajnë edhe mbi të vdekurit”, ka deklaruar Çoçaj.