Çuan në Itali afro 4 ton drogë të prodhuesve në Shqipëri, 9 të arrestuar

Antimafia Italiane e Leçes në bashkëpunim me Guardia Di Finanza e Brindizit kanë ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm operacionin e koduar ”San Silvestro 2018” i cili ka çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh lëndësh narkotike italo-shqiptarë.

9 persona janë vënë nën urdhër arresti, 5 në burg e 4 në arrest shtëpiak.

RTV Ora ka zbardhur se mes 5 personave të vënë në pranga 3 janë shtetas shqiptarë, banues në Itali të cilët organizonin vendosjen e kontakteve mes prodhuesve të marihuanës në Shqipëri e grupit të trafikantëve në Itali. Gjithashtu 3 shqiptarët e arrestuar bashkëpunonin në operacionet e transportit të drogës nga Shqipëria në Itali.

Gjatë hetimeve të operacionit e deri më sot në ekzekutimin e tij janë sekuestruar 3750 kg marihuanë, 50 kg hashash, 1 kg kokainë, 1 kg heorinë, 6 mjete lundruese e 3 autovetura.

Hetimet e operacionit janë ekzekutuar në sinergji me repartin e Guardia di Finanza në Durrës dhe me autoritetet e policisë shqiptare.