Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar sot kryeakademikun Nexhat Dacin, pas lavdatave që ky i fundit ia kishte bërë atij për udhëheqje të dialogut me Serbinë. Por, Daci sot u takua me dikë që dikur e kishte sharë me nënë, raporton Periskopi.
Thaçi ka shkruar se Dacin e ka informuar për ecurinë e dialogut dhe konstatimin se ‘të gjithë duhet të marrin përgjegjësi në dialog’.
Madje, presidenti e ka cilësuar takimin e sotëm si të shkëlqyeshëm, ndonëse dikur e kishte sharë rëndë Dacin.
“Sot zhvillova një takim të shkëlqyeshëm me kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Nexhat Daci. Biseduam për zhvillimet aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova. Kryeakademikun Daci e informova për ecurinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ishte konstatim i përbashkët se në këtë proces të gjithë duhet të marrim përgjegjësi : institucionet, partitë politike parlamentare, opozita, shoqëria civile, Akademia etj. Vetëm të bashkuar mund t’i realizojmë objektivat tona: njohjen reciproke Kosovë Serbi, ulësen në OKB si dhe anëtarësimin në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare. Pretendimi i Serbisë për ndarje të Kosovës gjithmonë do të jetë i papranueshëm, por në kuadër të korrigjimit të kufijve duhet të shtrohet,në procesin e dialogut, tanimë kërkesa dhe e drejta e Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës”, ka shkruar Thaçi.
E ky takim mes tyre erdhi pas deklarimit të Dacit se presidenti Hashim Thaçi është personi i duhur për udhëheqjen e negociatave në dialogun me Serbinë.
Por, Daci duket se e ka harruar ofendimin që dikur ia kishte bërë presidenti.
Vite më parë, më saktësisht më 2015, Daci kishte treguar se si ishte fyer nga Hashim Thaçi e Fatmir Limaj.
Në njërën nga seancat ai ka treguar se ia kishte ndalur mikrofonin liderit të PDK-së Hashim Thaçit. Kjo sipas Dacit ishte bërë se pas shumë vërejtjesh Thaçi kishte përdorur gjuhë jo parlamentare.
Duke dalë nga dera ka treguar Daci Hashim Thaçi dhe Fatmir Limaj e kanë sharë në mënyrën më të keqe të mundshme.
Ndonëse nuk kishte treguar se cila ka qenë sharja e Thaçit ndaj tij, është nënkuptuar se akademik Daci është sharë me nënë nga lideri i PDK-së.
Kjo sharje sipas Dacit ka qenë e rëndë pasi që atij i kishte vdekur nëna që në moshë të vogël dhe nuk e kishte njohur fare./Periskopi