Si pesë prej sfidave kryesore që e presin Serbinë gjatë vitit 2018, ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka numëruar “mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë, raportet me Rusinë, rrugën kah Bashkimi Evropian, partneritetin me Amerikën dhe politikën e neutralitetit ushtarak”.
Daçiq, për agjencinë ruse të lajmeve “Sputnjik” ka sqaruar se “Serbia është e angazhuar për dialog me Prishtinën, por nëse dikush insiston që të ndryshohet formati i bisedimeve në Bruksel dhe që në to të përfshihet SHBA, do të kërkojmë që procesit t’i bashkëngjitet edhe Federata Ruse. Për këtë kemi edhe përkrahjen e presidentit Vlladimir Putin”.
“Në raportet me Rusinë, vendi ynë nuk ka kurrfarë kalkulimesh. Rusët i kemi miq e vëllezër.
Rusët janë shtylla jonë kurrizore në arenën ndërkombëtare”, tha Daçiq, transmeton Koha.net.
Ai theksoi po ashtu se Serbia asnjëherë nuk do t’i vë sanksione Rusisë.
“Siç kemi thënë kudo nëpër Perëndim se nuk do t’i vëmë sanksione Federatës Ruse, ashtu kemi thënë edhe në Kremlin se Bashkimi Evropian është qëllimi ynë kryesor strategjik”.
Sipas Daçiqit, Serbia do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhëniet më të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Dëshirojmë që politikën e vjetër të mosmarrëveshjeve dhe të interesave konfliktuoze t’i kthejmë në politikë të partneritetit të sinqertë. Natyrisht se nuk mundemi që në çdo gjë të kemi qëndrim të njëjtë, por insistojmë në marrëdhënie të drejta të mirëkuptimit të ndërsjellë”, tha Daçiqi dhe shtoi se “nuk dëshirojmë më të dëgjojmë vlerësime nga zyrtarë siç është Brian Hoyt Yee”.
“Por, dëshirojmë të dëgjojmë Donald Trumpin e Rex Tillersonin, siç dëshirojmë edhe ne që ata të na dëgjojnë. SHBA është fuqi e madhe botërore dhe e rëndësishme që Serbia të zhvillojë raporte ekonomike e politike me Washingtonin zyrtar. Qëllimi ynë është që më 2018 të dëgjohet qëndrimi i Beogradit zyrtar edhe në Shtëpinë e Bardhë”, shtoi ai.
Duke folur për politikën e neutralitetit ushtarak, Daçiq tha se Serbia nuk do të hyjë në aleanca ushtarake, duke përmendur NATO-n si njërën nga to, ndërsa theksoi se “Serbia do të vazhdojë bashkëpunimin me NATO-n, sikurse edhe me Rusinë, Bjellorusinë dhe vendet tjera”.