Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, duke folur për mundësinë e shtetit të tij për të njohur Pavarësinë e Kosovës, tha se Serbia as nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë, ku potencoi që sipas tij nuk ka asnjë shantazh që mund t’i detyrojë ata të bëjnë këtë veprim.
“Vuçiq është gjithmonë në kontakt me komunitetin ndërkombëtar, mirëpo ata duan vetëm njohjen e Kosovës dhe jo kompromis me këtë të fundit. E kam paralajmëruar Presidentin që ata vetëm po na gënjejnë, sepse ata nuk duan të gjejnë një kompromis. Unë frikësohem se ata do të sjellin një letër ku do kërkojnë njohjen e Pavarësisë së Kosovës” tha Daçiq.
Daçiq thotë se sipas tij nuk ka asnjë shantazh të mundshëm që mund ta detyrojë Serbinë ta njohë Pavarësinë e Kosovës, transmeton lajmi.net.
Ai i’u kundërpërgjigj edhe shefit të kabinetit të Presidentit Thaçi, Bekim Çollaku, i cili dje tha se Rumania duhet ta njohë Pavarësinë e Kosovës para përfshirjes në gjetjen e një zgjidhje mes dy vendeve.
“Nuk e di nëse ata arrijnë ta kuptojnë që janë budallenjë nëse mendojnë që dikush mund ta detyrojë Serbinë ose Vuçiqin ta njohë Kosovën pa asnjë kompromis” deklaroi ai.
Daçiq shtoi se ai dhe Vuçiq po frikësohen nga fakti që Bashkimi Evropian mund të paraqesë letrën për zgjidhje të problemit me Kosovën, ku si pikë e vetme për Serbinë, do të ishte njohja e Pavarësisë së Kosovës.
“Presidenti Vuçiq do të paraqesë idenë për zgjidhje të problemit në muajin prill, unë e mbështes vendosmërinë e tij për të qenë i pakompromis në aspektin e njohjes së Pavarësisë, gjithsesi ne do të vazhdojmë me veprimet tona” deklaroi ai.