Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalimit të tij në Kuvend, tha se do të përgatitet padi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e kryera në Kosovë.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq. Ai ka thënë se përpiluesit e padisë duhet të konsultohen me familjarët e serbëve të vrarë në Kosovë.
Daçiq theksoi se në mesin e serbëve të vrarë ka edhe fëmijë, dhe se 200 mijë të tjerë janë dëbuar nga Kosova, përcjell lajmi.net.
“Në të vërtetë do të ishte një rast unik në praktikën ligjore kur ekzekutuesi akuzon viktimën, nëse kjo është një nga pikat e planprogramit të Kurtit atëherë shpresa më e vogël për ringjalljen e dialogut është zbehur”, deklaroi Daçiq.
Ndërsa për shërbimin e obligueshëm ushtarak, ai ka thënë se do të ishte një vendim i rrezikshëm, pasi në të do të detyroheshin të futeshin edhe serbët dhe ‘një ditë ata t’i qëllonin vëllezërit e tyre’.