Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se Prishtina, sikur të bisedohej me të pa mentorët e saj, do ta pranonte propozimin e ndarjes së Kosovës.
“Nëse do të bisedonim hapur për ndarjen e Kosovës, pa mentorë, Prishtina do të nisej nga interesat e saj dhe do të pranonte këtë propozim”, ka thënë Daçiq, për gazetën serbe “Blic”, përcjell Telegrafi.
Ai ka thënë se fuqitë e mëdha, kur të përmendet demarkacioni dhe ndarja llogarisin se do të vinte deri te zhvendosja masive e popullsisë, sepse siç thotë ai, nuk e marrin parasysh se situata etnike në terren është në përputhje me propozimin për ndarje.
Daçiq ka thënë se fuqitë e mëdha nuk duan të diskutojnë propozimin për ndarjen e Kosovës, sepse ata mendojnë se çështja e Kosovës është përmbyllur në vitin 2008, duke u nisur nga fakti se e kanë njohur pavarësinë.
I pyetur nëse janë të vërteta pretendimet e presidentit të Partisë Popullore, Vuk Jeremiq, se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka ofruar jugun e Serbisë, në këmbim për veriun e Kosovës, Daçiq ka thënë se “nuk ka pasur asnjë bisedë në përpjekje për zgjidhje të qëndrueshme të çështjes së Kosovës”.
“Ka pasur bisedime të ndryshme, në qytete qendra të ndryshme, shkëmbim të pikëpamjeve, por nuk kishte asgjë zyrtare. Unë nuk e di nëse dikush diku ka mundur të ofrojë diçka të tillë”, tha Daçiq.
Duke folur për aktivitetet që priten lidhur me çështjen e Kosovës, ka thënë Daçiq se javën e ardhshme në Beograd arrijnë nga ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Francës dhe se pret biseda të rëndësishme.