Ministrat e Serbisë dhe Rusisë, Ivica Daçiq dhe Sergei Lavrov, kanë nënshkruar të hënën në Beograd planin e konsultimeve për dy vjetët e ardhshëm.
Daçiq u tha gazetarëve se praktikë do të jenë takimet dy herë në vit – një herë në Rusi, një herë në Serbi.
“Pa Rusinë, është e pamundur të mbrohet integriteti dhe sovraniteti ynë. Kur flasim për marrëdhëniet me Rusinë, flasim edhe për të ardhmen tonë. Serbia nuk do të jetë kurrë shtet anti-rus, ashtu siç janë bërë disa shtete. Nuk do t’iu bashkohemi sanksioneve dhe masave kufizuese. Nuk e kemi ndërmend të anëtarësohemi në NATO”, tha Daçiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Më herët, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, i dha Lavrovit Urdhrin e Flamurit të Serbisë për, siç u tha, meritat e jashtëzakonshme në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve.