Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq ka thënë se nuk ka karotë europiane nga BE për të cilën Serbia me vetë dëshirë do të hiqte dorë nga Kosova, transmeton Koha.net.
“Është pafytyrësi që qarqe në Bruksel të presin nga ne harakiri historik, ndërsa ata vetë brenda BE-së nuk kanë qëndrim unik kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës”, ka thënë Daçiq.
Duke folur për vazhdimin e sotëm të dialogut të Beogradit e Prishtinës, Daçiq ka thënë për “veçernje novosti” se pala serbe nuk pranon asnjë korrigjim të marrëveshjes për AKS-në.
“Nëse BE pajtohet për diçka të tillë, e besoj se nuk do të pajtohet, atëherë bie poshtë i tërë dialogu dhe për ne aty nuk do të ketë më vend”, ka theksuar ai.
Daçiq ka vlerësuar se në një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare dhe në Prishtinë ekziston qëllimi i qartë që serbët në veri të Kosovës të shpallen faktor destabilizues duke shtuar se ata po luajnë me zjarr.
Ai ka thënë se tash është më lehtë të bisedohet me administratën në Washington, dhe, sipas tij, ky është shans i mirë për Beogradin, sepse Amerika nuk dëshiron destabilitet të ri dhe se ajo ka shfaqur interesim për iniciativën serbe për zgjidhjen afatgjatë për Kosovën.
Daçiq ka theksuar se deri te zgjidhja duhet arritur me kompromis e jo me imponimin e qëndrimit të Serbisë se ajo duhet ta njohë Kosovën.
“Do t’i pyesja të gjithë në BE, si është e mundur që vetëm kufijtë e Serbisë u ndryshuan e të tjerët mbeten si kanë qenë – gurë. Së pari e ndanë Kosovën nga Serbia e tash thonë se këtu nuk ka çfarë të flitet më. Ka, si nuk ka. Nëse ka përfunduar rrëfimi, pse po na ftojnë në dialog?”, ka pyetur Daçiq.