DAÇIQI ËSHTË MISHËRIM I POLITIKËS SË DYFYTYRËSISË

Intervistë e Shkëlzen Maliqit botuar më 15 janar në gazetën malazeze “Pobjeda” të Podgoricës

Edhe pse kanë kaluar gati katër vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që në Bruksel është nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, përshtypja e përgjithshme është se dy vendet ende nuk i kanë bërë hapat e rëndësishëm dhe thelbësore drejt realizimit të qëllimit të përcaktuar. Sipas vlerësimit të Shkëlzen Maliqit, njërit nga itelektualët shqiptar dhe jugosllav, këshilltar aktual i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë sot është në krizë serioze: “Procesi kosovaro-serb është i ngadalësuar për shkak të taktizimeve politike, nga frika se mos ‘prakohëshëm‘ do të arrihet deri te pika përmbysëse dhe e pakthyeshme e normalizimit kur praktikisht mes Kosvoës dhe Serbisë do të vendoseshin marrëdhëniet si mes dy shteteve sovrane që formalisht nuk njihen mes veti, por nuk kanë më probleme as mes veti, e as me Bashkimin Evropian”, thotë Shkëlzen Maliqi.
Pobjeda: Marrëveshja është e ngjashme me atë mes dy Gjermanive në vitin 1972?
MALIQI: Marrëveshja gjermano-gjermane, si kompromis historik mes Gjemanisë Perëndimore dhe atë Lindore, nuk i përshtatet plotësisht rastit të Kosovës, pasi që për dallim nga Kosova, Serbia tashmë është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Mirëpo, modeli gjerman është i dobishëm si shembull për dialog mbi normalizimin e marrëdhënieve që duhet të çoj drejt anëtarësimit të Kosovës në KB dhe organizatat tjera ndërkombëtare edhe pa njohjen formale të sovranitetit të Kosovës nga ana e Serbisë.
POBJEDA: Po, vetëm se, sa është në përgjithësi real ky model? E keni dëgjuar shefin luftënxitës të diplomacisë serbe Ivica Daçiq i cili praktikisht u kërcënohej Malit të Zi dhe Maqedonisë në rast se do të votonin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO:
MALIQI: Ivica Daçiqi është personifikim i kontradiktës dhe dyfytyrësisë së politikës serbe, e cila thjesht shprehet me mantrat e tipit “Edhe Kosova edhe BE-ja” “Edhe BE-ja edhe Rusia”. Kjo politikë synon anëtarësimin e Serbisë në BE por njëkohësisht shfaq intencën që ta rikthejë kontrollin mbi Kosovën, çka do të thotë ripërtëritjen e sovranitetit të saj mbi Kosovën, të cilën faktikisht e ka humbur në vitin 1999. Kjo humbje është vulosur me verdiktin e Gjykatës Ndërkomëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë legjitime dhe jo “shkelje e së drejtës ndërkomëtare” për çka insistonte Serbia në padinë e saj. Përndryshe, deri sa ishte kryeministër, Ivica Daçiq është angazhuar hapur për një “zgjidhje pragmatiste” – ndarjen e Kosovës, sipas të cilës, si kusht për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Serbisë do të duhej t’i mbetej Veriu i Kosovës. Në bazë të parimit të njejtë etnik do të duhej të ndahej edhe Bosnja dhe Hercegovina.
POBJEDA: Në luftërat e viteve të nëntëdhjeta Serbia kishte hyrë me idenë se territoret e të gjitha republikave të ish RSFJ mund të “ndahen”; më në fund doli që, përkundrazi, republikat që ishin mbeten në numër kurse vetëm Republika e Serbisë, kur e kemi parasysh pavarësimin e Kosovës, paska qenë – e ndashme.
MALIQI: Pikërisht ashtu. Kurse kërcënimet që sot ua adreson Daçiqi Malit të Zi dhe Maqedonisë bazohen në nxitjen e rebelimeve të elementeve pro-serbe në këto shtete, e që janë të frymëzuara me fushatat ekspanzioniste të Rusisë në Ukrainë, Gjeorgji dhe disa pjesë të tjera të ish Bashkimit Sovjetik, të cilat në retrospektivë shikohen si pjesë të tëhuajsuara të Perandorisë ruse. Duke llogaritur në ndihmën e Rusisë, Serbia sot ëndërron rikthimin e perandorisë së vet të vogël jugosllave. Dhe këtë jo përmes fillimit të një lufte të re të madhe, sepse për këtë nuk ka gjasa, por duke ndezur kriza atje ku ende ka forca serbomëdha dhe orthodokso-mëdha, që e duan Serbinë e Madhe.
POBJEDA: A mendoni se serbët në Kosovë dhe në shtetet të dala nga ish Jugosllavia edhe sot mund të instrumentalizohen në mënyrë siç e pat bërë këtë Slobodan Milosheviqi me serbët bë Kroaci dhe Bosnje?
MALIQI: Ndonëse Qeveria e Kosovës insiston në integrimin e serbëve në institucionet e Kosovë, Lista serbe që bën pjesë në këtë Qeveri, sot si kryeministër të vërtetë të tyre e shohin Aleksandar Vuçiqin, prej të cilit drejtpërsëdrejti marrin urdhëra politikë. Bëhet fjalë për një absurd që gjthsesi duhet të zgjidhet para krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një trup që nuk duhet të jetë assesi dorë e zgjatur e ambicieve politike të Beogradit. Në vend të kësaj ky Asociacion duhet të konstituohet si trup koordinues për mbrojtjen e interesve të pakicës serbe në kuadër të sistemit kushtetues të Kosovës.
Fatkeqsisht, praktika e instrumentalizimit dhe keqpërdormit të serbëve nga ana e Beogradit asnjëherë nuk është ndërprerë, vetëm i përshtatej rrethanave. Megjithatë, rebelimet e armatosura ose vetëshpallja e territoreve serbe si autonome apo të pavarura, çfarë ka ndodhur gjatë viteve 90, në kohën kur ato i mbështeste Beogradi dhe armata (serbo)jugosllave, tani nuk mund të përsëritën më në atë formë.
POBJEDA: Ministri Daçiq ka folur për “shkëputjen e një pjese të Malit të Zi”…
MALIQI: Daçiqi dhe të tjerët shumë mirë e dinë se rrethanat kanë ndryshuar radikalisht, pasi që praktikisht sigurinë e gati tërë rajonit e kontrollon NATO. Por kjo, kuptohet, nuk përjashton aventura të caktuara militare, të cilat, them se, nuk kanë gjasa për sukses.
POBJEDA: Çfarë aventuara militare?
MALIQI: Kujtoni vetëm tentim grushtetin në Podgoricë ditën e zgjedhjeve të fundit…
POBJEDA: “Aventuristët që përmendet nuk fshehnin se llogarisnin në ndihmën e Moskës. Çka mendoni, kujt do t’i kushtojë më shtrejtë kjo “ndihmë”
MALIQI: Po të mos ishte ndikimi dhe përkrahja e Rusisë së Putinit, politika dhe sjellja e Serbisë sigurisht se do të ishin ndryshe – edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare edhe rreth votimit për Rezolutën e gjenocidit në Srebrenicë në OKB. Gjithësesi, që nga shekulli 19, politika e Beogradit kushtëzohet nga një dilemë “me cilën perandori do të mbahet Serbia” – me Perëndmin apo Lindjen, dhe rreth kësaj edhe sot e gjithë ditën kanë mospajtime. Në këtë kontekst “ndihma ruse” sigurisht që do ta ketë koston më të madhe për Serbinë pro-evropiane. Nga ana tjetër, është pyetje a do të ngatërrohet fare “vëllau i madh” për shpëtimin e Serbisë, pasi që ajo gjendet nën rrethimin e plotë të vendeve anëtare të BE dhe të NATO-s, si dhe atyre që synojnë të ardhmen euro-atlantike.
POBJEDA: Çka me bazën “humanitare”, në të vërtetë ushtarake të Rusisë në Nish?
MALIQI: Kjo bazë sot duket si një anomali që Serbisë mund t’i kushtojë mjegullimin seriozë të të ardhmes së saj.
POBJEDA: Është interesant se pjesa dërmuese e opinionit politik në Serbi pos Rusisë sot llogarit edhe në presidentin e posazgjedhur të SHBA-ve, Donalld Trampin, prej të cilit pritet, sipas tyre, që së bashku me Putinin “t’ ua kthejë serbëve Kosovën” duke e bërë edhe një ndarje të re të Ballkanit. Si ju duket kjo?
MALIQI: Për shkak të ideve të tija të papritura dhe të çuditshme, që mund të shkaktojnë turbullira në marrëdhëniet ndërkombëtare, Trampi vërtet vjen si një sfidë e madhe për politikën amerikane. Duka paralajmëruar, ndër të tjerat, edhe njohjen e aneksimit të Krimesë, e ndoshta edhe të aneksimeve të tjera në Ukrajinë e në Kaukaz, për shkak të cilave Rusia është vënë nën regjimin e sankcioneve ndërkombëtare, Trampi premton vendosjen e marrëdhënieve më të mira me Rusinë e Putinit. Por, do të shohim së shpejti a do të ndjek administrata e re e SHBA-ve këtë kurs radikalisht të ri, që për pasojë do të mund ketë ndarjen e re të sferave të interest në Ballkan.
POBJEDA: Cili është mendimi I juaj për këtë?
MALIQI: Në bërjen e analizave serioze të faktorëve veprues se çfarë do të mund të janë pasojat e paktit eventual të Trampit me Putinin, nuk duhet të nënçmohen interesat dhe ndikimi i BE-së, me ose pa Britanin e Madhe. Dhe sidomos nuk duhet të anashkalohet përcaktimi strategjik tradicional i BE-së dhe SHBA-ve rreth rolit të NATO-s për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në botë. Me fjalë të tjera, Trampi dhe Putini nuk mund ta ndajnë Ballkanin në sferat e interest pa e pyetur për këtë BE-në dhe fuqitë evropiane.
POBJEDA: Pasi që po flasim për ndikimin rus në Ballkan, a jeni befasuar me deklaratën e Presidentit Hashim Thaçi kur tha se “Kosova dëshiron raporte të sinqerta dhe konstruktive me Rusinë, pa marrë parasysh që Moska nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”?
MALIQI: Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit me të drejtën e vetos, dhe me këtë edhe si faktor kyç që pengon afirmimin e plotë ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës, Rusia nuk ndjek thjesht vetëm interesat e Serbisë, por para së gjithash interesat e veta të fuqisë së madhe. Që nga anektimi i Krimesë, si arsyetim për këtë, Putini vazhdimit thirret në “presedencën e Kosovës”, si pandan i të drejtës së popullit të Krimesë për vetëvendosje. Kjo mund të kuptohet edhe si një ofertë e terthortë për shkëmbim: Moska do ta njeh pavarësinë e Kosovës nëse Perëndimi pajtohet me anektimin e Krimesë.
POBJEDA: Presidenti Putin këte e ka thënë disa here edhe pa dorëza.
MALIQI: Po, keni drejt. Nga ana tjetër, nëse dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vërtet prektikisht çon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Beogradi, atëherë del se edhe Serbia proevropiane ka mospërputhje potenciale me interesast e Rusisë. Në këtë kontekst është e pritshme që edhe Kosova të formulojë një politikë të vetën “raportesh të sinqerta dhe konstruktive me Rusinë, kuptohet në koordinim me faktorët perëndimor dhe të tjerë që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Politika që e paralajmëron Thaçi pikënisjen e ka te supozimi se Moska në rrethanat e caktuara mund të përkarah pavarësinë e Kosovës. Përndryshe, Rusia e kohës së Jelcinit president ka qenë ndër faktorët konstruktivë që kërkonin zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të punës të të ashtuquajturit Grup i Kontaktit i fuqive të mëdha, Brenda cilit Grup edhe ishte përgatitur pavarësia e Kosovës si njëri prej opsioneve të mundshme, madje praktikisht më reali.
POBJEDA: Disa here e keni pçrmendur mundësinë që Serbia ta njeh pavarësinë e Kosovës, për çka ka folur dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë vizitës së tij të parë në Beograd. Megjithatë, pasi që Serbia asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet e llahtarshme të regjimit të Milosheviqit që janë bërë në Kosovë, për spastrimet etnike, për makinat frigoriferë me trupat e fëmijëve, grave dhe pleqëve shqiptarë të vrarë që janë transportuar dhe hedhur në lum ose në varreza masive në Batajnicë dhe gjithandej Serbisë…
MALIQI: Këshilla që e dha Edi Rama është e thënë në kontekstin e perspektivës të ngecjes së përgjithshme të rajonit, ku kriza e Kosovës është njëri nga kërcënimet dhe bllokuesit më të mëdhenj për sigurimin e paqes dhe stabilitetit të rajonit. Atë moment kur Serbia do ta njihte realitetin e ri në Kosovë, gjë që e ka bërë pjesërisht me nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit, në tërë rajonin do të ndodhë një lehtësim ose margjinalizim thelbësor i tensioneve.
Çështja shqiptare dhe çështja serbe do të zgjidheshin pak a shumë në mënyrë simetrike mbi parimin policentrik, e jo përmes krijimit të shteteve unike ose të mëdha etnike. Në këtë kuptim, Marrëveshja e Brukselit paraqet një bërthemë të pare të pajtimit historik mes shqiptarëve dhe serbëve, mbi të cilin atëherë edhe Shqipëria shihte si interes vital kontributin përmes rivendosjes dhe forcimit të marrëdhënive politike dhe ekonomike me Serbinë, si dhe, më gjërë, edhe me të gjitha vendet e rajonit.
Ish Kryeministri i pafat i Serbisë Zoran Gjingjiq, ka qenë ndër të parët që më 2003 e bëri si prioritet vital të Serbisë zgjidhjen e përshpejtuar të çështjes së Kosovës si një parakush për shtytjen dhe ringjalljen e vendit të vet, e që mbase e pagoi me kokën. Fatkeqësish pushtetarët e ri të Serbisë e pranojnë këtë domosdoshmëri me hezitime, ashtu sikuq që hezitojnë edhe të kërkojnë falje për krimet që forcat serbe i kanë bërë në Kosovë në vitet e nëntëdhjeta.
POBJEDA: A do ti pranojnë ndonjëherë?
MALIQI: Në kohën kur Kryeminstri Gjingjiq filloi çrrënjosjen me politikën e Milosheviqit, Serbia e nisi edhe rrugën e zbardhjes së krimeve – vetë zbuloi varrezën masive në aeroportin ushtarak të Batajnicës, makinat frigoriferë me trupat e civilëve të vrarë si dhe disa krime të tjera masive. Por atëherë erdhi deri te revidimi i politikës së Gjingjiqit dhe rikthimi i politikës së Milosheviqit me mjete tjera. Për më shumë, edhe sot në Serbi i keni në pushtet juniorët e regjimit të viteve të nëntëdhjeta, të cilët nuk mund të luajnë pa kufi lojën msheftas!? Nëse pajtimi historik me shqiptarët nuk ka alternativë ata duhet të kërkojnë falje për krimet. Dhe jo vetëm për ato të viteve të nëntëdhjeta, por edhe ato të kohës së luftërave ballkanike dhe të ekspeditave militare që kishin për qëllim pushtimin e portit të Durrësit si dhe të tërë Shqipërisë së mesme dhe veriore.
Edhe në vitin 1999, gjatë intervenimit të NATO-s, policia dhe ushtria serbe dëboi nga Kosova civilët shqiptarë; i sollën autobusat dhe kamionat dhe urdhëruan njerëzit që të lëshojnë menjëherë shtëpitë e tyre dhe pastaj, me ato pak sende që kanë mundur ti marrin me vete, i dëbuan në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi. Në Malin e Zi, edhe pse në atë kohë ishte në bashkësi shtetërore me Serbinë, janë pranuar dhe strehuar proporcionalisht me popullsinë e vendit më së shumti refugjatë nga Kosova. Unë me familjen në atë kohë kam qenë refugjat në Maqedoni, ku na kanë pritur dhe strehuar shumë mire. Po ata që janë dëbuar në Mal të Zi, më kanë thënë se tek ju ka qenë gjithëçka shembullore. Ky solidarizim i Malit të Zi në rrethanat të atilla kritike është diçka që nuk mund të harrohet.
POBJEDA: Më ka treguar Veton Surroi në një rast se pas intervenimit të NATO-s kishte ardhur në Podgoricë dhe personalisht e kishte falendëruar Presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviqin për atë që po flisni ju “duke besuar se Gjukanoviqi më 1999 kishte bërë një gjest të “burrërisë malazeze” që quhet “čojstvo“. Por, a e keni përshtypjen se, përkundër të gjithave, opinion në Serbi më lehtë e pranon realitetin e shtetit të Kosovës për dallim nga disa qarqeve opozitare serbomëdha, proruse në Malin e Zi, të cilat kërcënohen se, nëse vijnë në pushtet, do ta anulojnë vendimin e Qeverisë së Malit të Zi për njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe vendimin për aplikimin e sankcioneve ndaj Rusisë.
MALIQI: Oponini në Serbi nuk është unik, edhe atje ka grupe radikale politike dhe fetare që mbi platfromën serbomadhe, proruse dhe pan-orthodokse bashkëpunojnë me grupet e bashkëmendimtarëve në Mal të Zi dhe gjetiu. Rrënjet e kësaj lëvizjeje janë në Rusi, dhe qëllimi i tyre është që Serbinë dhe Ballkanin ta largojnë nga rruga evropiane dhe ta orientojnë drejt Lindjes.
POBJEDA: Si i vlerësoni marrëdhëniet e Malit të Zi me Kosovën?
MALIQI: Marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës si dhe me Shqipërinë janë kryesisht ato të fqinjësisë së mire dhe pa probleme edhe pse mendoj se do të mund të ishin edhe më të mira dhe më të koordinuara si në planin politik dhe të sigurisë ashtu edhe në atë ekonomik dhe kulturor.
POBJEDA: Po ju pyes për këtë sepse qarqet nacionaliste në Beograd në vitin 2006 i frikësonin malazezët me tregimet se posa të dalin nga bashkësia me Serbinë, një pjesë e territorit të tyre “do ta grabisim ithtarët e Shqipërisë së Madhe”.
MALIQI: Mali I Zi nuk rezikohet nga shkëputja e territorit të saj as nga Shqipëria e as nga Kosova. Ideja e Shqipërisë së Madhe ose të Shqipërisë Naturale nuk është politikë zyrtare e qeverive dhe të partive kryesore në Shqipëri dhe Kosovë, por është prezente si idelogji e disa grupeve margjinale. Diçka më prezente dhe më me ndikim është ideja e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën në rrethanat e ndonjë krize eventuale, edhe pse ajo nuk është as dominuese e as prioritare. Politikat zrtare në Shqipëri dhe Kosovë angazhohen për “bashkimin” e shqiptarëve nën ombrelën e integrimit të rajonit në BE.
POBJEDA: Pse Kuvendi i Kosovës nuk e ratifikoi demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi?
MALIQI: Dy komisionet shtetërore që kanë punuar në demarkacionin e kufirit nuk kanë pasur asnjë problem në konstatimin e vijës kufitare mes dy shteteve, si ka qenë ajo në vitin 1989, para shkatërrimit të Jugosllavisë. Problemet janë paraqitur te një pjesë e opozitës kosovare e cila konsideronte se demarkacioni është bërë shkel e shko dhe në dëm të Kosovës. Çështja është politizuar në mënyrë ekstreme për shkak të luftës së brendshme për pushtet. Fatkeqësisht, edhe Qeveria e Kosovës kishte gabuar me procedurat dhe shmangjen e transparencës së procesit: nuk është shpjeguar opinionit me kohë se kufiri nuk është negociuar, por se obligimi ka qenë që të konstatohet kufiri çfarë ka qenë në kohën e Jugosllavisë.
Edhe nga ana e Malit të Zi ka pasur vërejtje se kufiri ekzistues nuk është korrekt, dhe unë e kam propozuar që dy vendet të caktojnë një komision të ri i cili do të bënte relativisht lehtë korrigjimet eventuale pasi që bëhet fjalë për zonat malore ku praktikisht edhe nuk ka vendbanime, në mënyrë që të qetësohen shpirtrat dhe edhe Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen për kufirin.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme