Po vazhdojnë tensionet në komunën e Skenderajt dhe në degën e Partisë Demokratike të Kosovës në bastionin e saj. Pas përplasjeve mes kryetarit të degës Sami Lushtakut dhe nënkryetarit Bekim Haxhiut, që u shkarkua nga i pari, mosmarrëveshjet kanë kaluar edhe në komunë. Daja i Kadri Veselit, Driton Mulaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita që mbante në komunë, ku thotë se i janë bërë kërkesa jashtë profesionit dhe jashtë bindjeve. Këto akuza i drejtohen kryetarit të Komunës, Bekim Jashari.
Para një jave në degën e PDK-së në Skenderaj u shfaqën përplasjet mes kryetarit të degës Sami Lushtakut dhe nënkryetarit Bekim Haxhiut, i njohur si Kamishi. Ky i fundit nuk pranonte vendimin e kryetarit me disa anëtarë, për ta shkarkuar.
Kamishi bashkë me 7 asamblistë të tjerë ishin shkarkuar, pasi që, sipas Lushtakut, kishin dalë kundër vendimeve të partisë. E këto përplasje patjetër që kanë prekur edhe komunën, që shumicën pothuajse absolute të Kuvendit e përbën PDK-ja.
Pasi përfunduan shkarkimet me asamblistët e “pabindur”, në komunën e Drenasit filluan edhe dorëheqjet e drejtorëve të pakënaqur me kryetarin e komunës Bekim Jashari, i përkrahur nga Nuredin Lushtaku dhe Kamishi.
Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje te Ambientit, Driton Mulaj, ka ofruar dorëheqjen, duke vendosur kështu që të mos jetë pjesë e ekipit të Bekim Jasharit.
“Dorëheqjen e ofroj duke u nisur nga fakti se marrëveshja e bashkëpunimit ka qenë për punë profesionale ku edhe e kam dhënë maksimumin me gjithë potencialin tim, por jo edhe kërkesat që janë jashtë profesionit dhe jashtë bindjeve të mia, siç ka ngjarë kohëve të fundit”, thuhet në letrën e dorëheqjes së Mulajt, transmeton Gazeta Express.
Nga kjo dorëheqje, Mulaj, që është daja i Kadri Veselit, lë të kuptohet se i përket krahut të Sami Lushtakut, marrë parasysh se në Skenderaj tanimë janë krijuar dy grupe të PDK-së. I pari i Sami Lushtakut, ndërsa tjetri i Nuredin Lushtakut dhe Kamishit, që mbështesin fuqishëm kryetarin e komunës Bekim Jasharin.
Kjo është dorëheqja e dytë nga drejtoritë e Komunës që po e udhëheq Bekim Jashari. Para Mulajt ka dhënë dorëheqje edhe Hamit Geci – drejtor i Drejtorisë për Administratë.