Gazetare: Melihate Rustemi
Thuajse çdo familje ka shpenzuar më së paku 100 euro për darkën e fundvitit. Në një anketë për Alsat qytetarët thanë se me këtë shumë kanë arritur të sigurojnë vetëm një darkë modeste pa përfshirë dhuratat për familjarët.
“Një darkë e Vitit të Ri kushton më së paku 5 mijë denarë. Aq keni shpenzuar ju? Po, i shpenzova. U munduat t’i blinit gjërat kryesore apo të gjitha ato që kishit nevojë për ti blerë? Vetëm gjërat kryesore, nuk flas për dhuratat, vetëm për darkën flas”, tha një qytetare.
“Atë që mundemi do ta blejmë. Ka fëmijë te vegjël, aq sa mundesh aq do të blesh, nuk do të mbesim pas asgjë. Për darkën e Vitit të Ri kur po i shoh disa si i mbushin karrocat, nëse unë i mbush ashtu nuk do të kem bukë për të ngrënë. Sa e ke tapetin aq do i zgjasësh këmbët, në këtë mënyrë mbaj llogari. Do të shpenzoj pak që nesër të më mbetet ndonjë denar”, u shpreh një qytetar.
Shumë qytetarë të tjerë u ankuan se çmimet e produkteve vazhdojnë të mbeten të larta pavarësisht masave të Qeverisë për ulje çmimesh.
“Unë jam më shumë ekonomist, kursej më tepër dhe nuk kam shpenzuar më shumë se 100 euro. Gëzuar festat, paçi jetë dhe shëndet”, theksoi një qytetar.
“Çmimet ashtu kështu. Thanë që kanë bërë disa shporta mirëpo asgjë të re prej tyre”, u shpreh një qytetar./ Alsat.mk