Darka tashmë e famshme e Dubait, ku dy ministra të Ramës, Belinda Balluku e Arben Ahmetaj, kryekëshilltari i tij mediatik Endri Fuga dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku u kapën duke konsumuar pjata dhe verën e shtrenjtë, këto ditë është kthyer në hit të rrjeteve sociale dhe disa medieve.
Zemërimi më së shumti ka të bëjë me mishin në pjata te shtruara me fletë të arta, ndërkohë që vendi përmbytej dhe të paktën Balluku si drejtuese e një ministrie direkte përgjegjëse, duhej të ishte këtu. Gjithashtu mjaft zëra janë marrë me analiza të tipit; ku i gjejnë paratë këta shtetarë për të shtruar darka sheikësh dhe të tjera!
Edhe darka, në të njëjtën ditë, pra në 8 janar, është shtruar nga pala pritëse në të njëjtin hotel, ku i pranishëm ishte edhe kreu i kompanisë “Emaar”, Mohamed Alabar. Në të njëjtën darkë morën pjesë dhe ministrat dhe i gjithë delegacioni shqiptar, bashkë me përfaqësuesit e biznesit dhe medias.
Ditën e dytë, në datën 9 janar, takimet ishin të përqendruar gjatë pjesës së parë të ditës, pasi kreu i grupit “Emaar” kishte planifikuar të udhëtonte jashtë. Dreka është shtruar në një tjetër hotel pjesë e kompanisë Emaar “Adress Boulevard”. Pikërisht në këtë darkë, në ditën e dytë mungonin ministrat Balluku dhe Ahmetaj, bashkë me nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Arbër Mazniku.
Të tre kanë munguar sërish edhe gjatë darkës që është shtruar, kësaj radhe në hotelin ku po qëndronte delegacioni, tek “Adress Down Town”. Mungesa e tyre ra në sy nga anëtarët e tjerë të delegacionit, që kanë pyetur njëri tjetrin se ku ishin larguar ministrat, por pa arritur të merrnin vesh më shumë, pasi ikja e tyre nuk ishte konfiduar me askënd. Biznesmeni Samir Mane, që duket në videon e publikuar në restorantin Nusret, nuk ka qenë pjesë e delegacionit zyrtar që udhëtoi në Dubai dhe nuk ka marrë pjesë në takimet me përfaqësues të Emaar Group.
Në videon e publikuar nga instagrami i Nusret Dubai, shihet qartë data 9 janar 2021, që përkon me ditën kur një pjesë e delegacionit shqiptar ka munguar në drekën dhe darkën e shtruar nga kompania Emaar. Po ashtu në videon e publikuar nuk shihet asnjë përfaqësues i palës pritëse, ndërsa përfaqësues të delegacionit në Dubai treguan se disa prej karrigeve të vendosura për anëtarët e grupit që munguan mbetën bosh.
Pjesë e delegacionit qeveritar ishin:
–Belinda Balluku- ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
-Arben Ahmetaj- ministër i Shtetit për Rindërtimin
-Etien Xhafaj- zv/ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
-Erlis Hereni- këshilltar në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë
-Pirro Vëngu- drejtor i Autoritetit Portual Durrës
-Viola Haxhiademi- sekretare e përgjithshme e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë
-Olti Muzaka – sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave
-Arbër Mazniku- nënkryetar i Bashkisë së Tiranës
-Endri Fuga- këshilltar i kryeministrit
Po ashtu pjesë e vizitorëve ishin 4 grupe gazetarësh nga RTSH, ATSH, Tv Klan dhe Top Channel, bashkë me disa biznesmenë përfaqësues të studios Atelier 4.