Dasma e Princit, balta e facebookut dhe përgjigje për të paditurit: Pse Garda duhet të ishte në ceremoni

Sakte.net / E diel, 09 Tetor 2016   –  11 : 00

Nga Dritan LACI-

Thanë e ç’nuk thanë. Ashtu si në një dasëm të serës princërore thurën e ç’nuk thurën tërbjete pas tërbjeti sa që ja nxorrën fundin kazanit të mbretërise. Që nga nusja pa gjak blu a thua se ne venat e saj tani e tutje duhet të rrjedhë gjak 3D me hemoglobinë të induktuar marsianësh e deri te Princi medemek mbretëror që shqipen e flet si nje matjan i rritur ne thepat skoceze. Ç’të lexoje. Mënxyrë, gura, mllef që vërshoi si lum balte ndaj dy të rinjve që dje nuk bënë asgjë më shumë e asgjë më pak sesa kurorëzuan lidhjen e tyre në kurorë.

Si ja hoqën e ja zhveshën disa herë fustanin nuses duke ja përbaltur me lloj lloj stigmatizimesh dhe si lanë gjë gjyshit Mbret pa ja ngjitur nipit dhëndër, lumi i baltës gjeti një shkak medemek antiligjor sipas tyre që do ta baltoste përfundimisht këtë ceremoni martesore.

Garda e Republikës?! Wou gulçitën të gjithë njëherësh. E kapëm më në fund një shkelje ligjore. Garda e Republikës që merr pjesë në ceremoninë private të një Princi që s’është Princ. Brilante si gjetje për të shtyrë një ditë që mund ta kishin shpenzuar për të dalë piknik nëse dasma e Princit nuk do u dukej aq ekzotike. Po ku ka piknik më të mirë për shqiptarët e facebook sesa të mbllaçisin statuse, like dhe komente për shkeljet ligjore të dasmës princërore. Dhe ç’shkelje pa: Princi ka marrë me qera Gardën e Republikës që të performojë në dasmën e tij private..Wou brilante…Kryevepër…Dhe ndërkohë që Princi Leka dhe tashmë Princeshë Elia i thonin “PO” njëri-tjetrit duke u betuar në besnikëri dhe Garda kishte kryer veprimet ceremoniale, llava e përvëluar për skupe princërore kishte zënë poshtë vetes jo vetëm të paditurit por edhe ata që na japin mend por që në këtë rast u kishin dalë fare mendt. PSE? Sepse në vitin 2003, pikërisht më 9 Maj 2003, Parlamenti Shqiptar ka miratuar ligjin “Për dhënien e statusit të Familjes Mbretërore’.

Po ç’thotë ky ligj i miratuar me 73 vota edhe me votat e të majtëve. Po e citoj: Ligji parashikon që të njihen si trashëgimtar të Familjes Mbretërore:  Leka I Zogu: Susana I Zogu: Leka II Zogu dhe pasardhësit e tyre. Po kështu me akte nënligjore të rregulluara nga Këshilli I Ministrave anëtarët e ish-familjes mbretërore përfshihen në protokollin e shtetit. Po ç’thotë Neni 7 i Legjislacionit të Gardës së Republikës. Citoj: Garda e Republikës kryen ceremonialin me Truprojat e Nderit sipas percaktimit që bëhet në Protokollin e Shtetit. Është e mjaftueshme kaq për të kuptuar se në bazë të statusit të Familjes Mbretërore të rifituar në vitin 2003, Princ Leka si trashëgimtar i ish Familjes Mbretërore përfiton nderime nga Protokolli i Shtetit. Ashtu sikurse Protokolli i Shtetit organizoi ceremoninë mortore të Mbretëreshës Geraldinë dhe Princit Leka I në ikjen e tyre nga kjo botë, ku Garda e Republikës kreu nderimet përkatëse.

Do të mjaftonte kaq për të kuptuar se gjithë ai lum balte i hedhur dje ne rrjetet sociale ndaj organizimit të ceremoninë së kurorëzimit të Princit Leka dhe tashmë Princeshë Elias ishte balta e të paditurve ku midis tyre për fat të keq kishte edhe gazetarë të njohur që minimalisht para se të hidhnin shashka qorre duhet të kishin bërë më së miri fillimisht punën e tyre: atë të verifikimit para se të shkruanin gjëra të paqena.

Ndaj kanë kohë ta bëjnë edhe sot por tashmë duke u kërkuar një falje publike jo ndaj një Princi apo Princeshe por ndaj dy të rinjve që nuk pritën të kalonin qoftë edhe 24 orë për tua përdhosur ditën e tyre të dasmës. Kompleksi i Gjyshit Mbret që ju ndjek prej 77 vitesh duket se ju ka errur arsyen edhe pse Princ Leka mund të jetë po aq I fajshëm për fajet e Gjyshit Mbret sa ç’mund të jeni ju për fajet e etërve tuaj që jetuan dhe punuan në komunizëm ca duke qenë edhe bashkëpunëtorë të devotshëm të sistemit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme