Debat për interpelancën ndaj Gashit

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kreu i Të Majtës Dimitar Apasiev kishte radhitur më shumë se dhjetë arsye për të elaboruar domosdoshmërinë për të votuar interpelancën ndaj kreut të Kuvendit Afrim Gashi. Ritualet fetare në hapësirat e Kuvendit, skandali në Aeroportin e Shkupit, përdorimi i shqipes, përdorimi I flamurit dhe stemës shtetërore, shkelja e rregullores gjatë organizimit të seancave dhe procedurat e shkurtuara të ligjeve, dhe të tjera, ishin ndër arsyet që numëroi Apasiev.

“Për dallim prej Talat Xhaferit i cili ishte mjeshtër për skandale, ju e kaluar dhe jeni bërë më mjeshtër se ai. Publiku e njeh rastin me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani e cila në kundërshtim edhe me Konventën e Vjenës ka refuzuar t’i kontrollohet valixhja dhe ju me urdhër keni dërguar shefin e sigurimit tuaj i cili atje ka zbatuar drejtësi rrugaçësh. Në këtë shoqëri multi-konfesionale bëtë edhe diskriminim fetar sepse të pranishmit në Boris Trajkovski praktikisht i detyruat të jenë pjesë e një rituali fetar në të cilin ata ndoshta nuk donin të marrin pjesë. Materialet nuk guxoni të na i dorëzoni në gjuhë tjetër përveç se në gjuhë maqedonase”, tha Dimitar Apasiev, E Majta.

Kreu i Kuvendit Gashi tha se interpelanca ndaj tij është interpelancë ndaj përkatësisë së tij fetare dhe etnike. Ai nuk qëndroi në sallë gjatë debatit. Tha se debatin do ta ndjekë duke mos qenë i pranishëm në sallë, sipas tij, që të mos e ndikojë atë.

“Kjo nuk është interpelancë ndaj Afrim Gashit për është interpelancë ndaj përkatësisë etnike dhe fetare të kryetarit të Kuvendit. Kjo nuk është interpelanca ndaj keqpërdorimit të autorizimeve të kryetarit të Kuvendit në aspektin e sigurisë por është interpelancë ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe angazhim për tërheqjen e njohës së Republikës së Kosovës. Kjo nuk është interpelancë ndaj gjoja shkeljes së ligjit për gjuhët por është interpelancë që shpreh frustrim dhe fobi ndaj përkatësisë etnike të kryetarit të Kuvendit. Kjo nuk është interpelancë ndaj flamurit të BE-së dhe NATO-s por interpelancë ndaj orientimit tonë strategjik”, u shpreh Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Ish kreu i Kuvendit dhe aktualisht deputet i BDI-së, Talat Xhaferi, deklaroi po ashtu se interpelanca ndaj Gashit ka të bëjë me përkatësinë e tij etnike. Fronti Evropian nuk do ta mbështesë atë, megjithatë ka vërejtje për punën e kryeparlamentarit. Disa nga shkeljet e Gashit, sipas tyre, janë morale.

“Sigurisht që kemi vërejtjet tona për atë që është puna e deritanishme e kryetarit të Kuvendit për faktin që në vazhdimësi nuk respektohet procedurat e vendosura me rregulloren e punës së parlamentit. Në asnjë mënyrë nuk mund të urdhërojë sigurimin e vet të shkojë në një vend i cili nuk është vend ku gjendet kryetari i Kuvendit. Përgjegjësia morale këtu është që shefi i sigurimit të tij duke kryer urdhëresën e kryetarit të Kuvendit, kyçet dhe bëhet pjesë në vepër penale. Nuk është problem e drejta e kryetarit të Kuvendit të kalojë kufirin në formën siç e ka kaluar. Është problemi i keqpërdorimit të kryetarit të Kuvendit dhe lejimi i keqpërdorimit të prezencës së tij për çështje të tjera në kufi”, tha Talat Xhaferi, BDI.

LSDM-ja ka deklaruar se do ta votojë interpelancën. Sipas tyre, Mickoski si kryeministër duhet të mbajë llogari për funksionarët e zgjedhur nga shumica dhe për shkeljet e tyre. Rregullorja, sipas tyre, shkelet në vazhdimësi.

“Nëse do të kishin qoftë edhe pak vetërespekt, nëse do të donin qoftë edhe pak ta ruajnë fytyrën, kjo interpelancë do të vinte nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. Ku është Mickoski sot që përsëri të porosisë se askush nuk është mbi popullit, mbi ligjet dhe mbi Kushtetutën, do të ketë përgjegjësi dhe drejtësi. Ashtu me plot gojë i bindte qytetarët se asnjë politikan nuk do të kursehet nga përgjegjësia politike dhe që secili që do të punojë në kundërshtim me rregullat dhe ligjet, do të përgjigjet”, tha Mile Talevski, LSDM.
Sipas Rregullores së re, interpelanca duhet të votohet para mesnate. Sipas deklarimeve aktuale, numrat tregojnë se ajo nuk do të marrë mbështetjen e nevojshme për të kaluar./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme