Ekipet e EVN Maqedoni filluan me kyçjen e rrjetit distributiv në disa pjesë të shfrytëzuesve në Shkup, të cilët mbetën pa rrymë sot pasdite për shkak të defektit në trafostacionin 110 kilovatësh “Vasill Gllavinov”. Paralelisht po punohet në largimin e defektit, i cili në lagjet Butel, Radishan, Shuto Orizare dhe Vizbeg njëheri shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë, sepse nuk mund të funksionojë pjesa makinerike e stacioneve të pompave.
Nga EVN Maqedoni për MIA-n deklaruan se trafostacioni, i cili sot ishte djegur, ka kapluar edhe një pjesë të pajisjeve elektroenergjetike në afërsi. Për shkaqe sigurie, njoftojnë nga EVN Maqedoni, tërë trafostacioni ishte shkyçyr nga furnizimi me energji, me çka edhe shfrytëzuesit e lagjeve Fushë Tophanë, Butel, Çair, Radishan, Vasill Gllavinov – zona industriale dhe zonat tjera të banuara të cilat furnizohen nga ky trafostacion ishin pa furnizim me energji elektrike.
“Pasi u krye kontroll i dëmtimit, u pa se mundet të kyçen në mënyrë të sigurtë shfrytëzuesit pjesë pas pjese në rrjetin distruibutiv, e paralelisht të sanohet edhe defekti i shkaktuar. Ekipet do të punojnë gjatë gjithë kohës deri atëherë kur shfrytëzuesit të furnizohen me rrymë”, deklaruan nga EVN Maqedoni.
Siç theksojnë nga NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, për shkak të ndërprerjes të furnizimit me rrymë nuk mund të funksionojë pjesa makinerike nga stacionet e pompave në atë rajon.