Dejona Mihali: 10 vjet – Në kundërshti me të dhënat e aktuales e në përputhje më ndërtimin e të resë

Autore: Dejona Mihali

Nga distanca e qytetit larg prej këtej shumë i mësuan emrat e qyteteve të Kosovës si adresë të kryengritjeve, rezistencës,demonstratave e luftës.

Plot nga ne s’kishim shkelur këtu deri në dekadën e fundit. Njohja me Kosovën ishte e rendit universal.

Në këtë njohje emra vendesh e qytetesh këtu qenë po ashtu emrat e gjendjes njerëzore në plotninë e përjetimit e veprimit.

Njohja me Kosovën ishte pra dalja nga prehja e mendimit që shumë prej nesh ka për njerëzinë. Kjo njohje sigurisht që na u paraqit si vonesë e mendimit tonë përballë botës. E Botës si liri dhe dije.

Në këtë kurs të gjërave distanca prej këtej nga ku jemi sonte përbën dhe distancën që i nevojitet shqisës për t’u bërë shquarje.

Mund të thuhet se ka tre momente të mprehta kur Kosova shquhet nga distancat shqiptare si rëndesa e idealit. Paspavarësia e 1912, paslufta e dytë botërore dhe paslufta e vetë Kosovës. Kjo rëndesë e shquar si ideal është ngatërresa e madhe e aktuales me të tashmen. Në fakt tmerri i asaj çfarë u bë aktualja në dy momentet e para prodhoi çfarë u bë e tashmja e momentit të tretë.

Një lëvizje politike nuk është aktualiteti. Është ikja e përhershme prej tij. Një lëvizje është në fakt gjithçka çfarë ajo nuk është ende aktualisht. Kështu është për të gjitha lëvizjet kështu ka qenë gjithmonë.

Në këtë kuptim përftimi i së tashmes në pasluftën e Kosovës është gjendja politike që nuk reduktohet në kontabilitetin e së drejtës si shtjellim i paqes por që entuziazmohet në rentabilitetin e shtjellimit të rezistencës.

Për dallim prej njohjes pra si universal, unë Kosovën e kam shquar si paraqitje të këtij shtjellimi, pra rezistencës. Thënë shkoqur e kam njohur si botë dhe e kam shquar si lëvizje. Në kushtet e distancës fizike a mendore Kosovës i shquhet e tashmja dhe i paket aktualiteti.

Për këtë të tashme jemi këtu. Për lëvizjen. Për VETËVENDOSJE!-n si dije dhe si liri.

Ma merr mendja se e shoh më qartë tanimë pse nga Tirana a nga Shkupi Lëvizja VETËVENDOSJE! ndjehet si veçanësia e Kosovës që ngop idealin dhe vë në dukje zbrazëtinë e tij kudo tjetër në politiken shqiptare.

Nëse një ditë do të sendërtonim ditarin e një lëvizje si kjo brendia e prodhuar do t’i jepte shqipes gradë të reja lirie si prerje me rrathë të intensitetit të njëjtë me ato të Rilindjes Kombëtare.

Jo vetëm pse projekti politik është ai i Rilindjes Kombëtare por sepse e veçanta e Kosovës, pra VETËVENDOSJE! nxjerr pas kaq vitesh edhe njëherë në dritë se e Reja që kemi prodhuar si komb është e pavjetërueshme. Pra është bota e njohur në shqip.

Teksa Rilindja shkroi kombin, ditari ynë po shkruan aktet e leximit të kombëtares që është në fakt shpalosja e një metode emancipimi nëpërmjet të cilës mëson se atdheu është dija më të cilën në liri e njeh botën.

Ndaj Aktivistet dhe Aktivistët e VETËVENDOSJE!-s shpesh cilësohen si joaktual. Ata punojnë në brendinë e një projekti që është i së Resë pra joaktual identikisht si ai i Rilindjes. Në kundërshti me të dhënat e aktuales e në përputhje më ndërtimin e të resë.

Nuk ka dyshim se në këtë projekt nuk jemi vetëm. E padyshim që se kemi veç për vete. Ky projekt nuk është as sekt as sekret.

Ky projekt sendërtuar sërish në Lëvizje është publik sepse nuk është i dikujt por i gjithkujt. Ky projekt pret të vi në shprehje si shkëputje nga prehri i së vjetrës, si shembja e së vjetrës.

Në respekt të të gjithë aktivistëve politikë shqiptarë -militantë të dijes e lirisë – janë sot e dhjetë vite, mijëra aktivistë të VETËVENDOSJE!-s Militantë të vullnetit.

Ashtu siç shkruhet dhe në manifestin e Lëvizjes – Vetëvendosje, sepse asnjë populli nuk mund t’i vendosen kushte për lirinë e vet.

Sepse çdo popull ka të drejtë të dekolonizohet; të jetë përcaktues absolut i kahjeve të zhvillimit të mundësive të veta; i resurseve vetanake ekonomike; i pasurive të veta nëntokësore.

Të përcaktojë lirshëm identitetin e tij dhe të kultivojë i papenguar frymën autentike kulturore.

Vetëvendosje, sepse kjo është diçka e natyrshme: është gjë e pritshme të vendosim në interes të vetes më shumë se ç’do ta bënte këtë gjë tjetërkush dhe gjithkush tjetër për ne.

Gëzuar miq të dashur 10 vjetorin e parë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Dejona Mihali

Prishtinë, 12 qershor 2015

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme