Presidenti i Kosovës ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës së shpejti do të bëhet ushtri e mirëfilltë e shtetit dhe ky njoftim është bërë lajmi kryesor në mediat e Serbisë, njofton Klan Kosova.
“Sot, duke kujtuar ngjarjen më heroike të qëndresës së popullit tonë për liri tash e 18 vjet, Epopenë e UÇK-së, ushtarëve të Forcës së Sigurisë dhe qytetarëve të Republikës sonë u premtova se Ushtria e Kosovës së shpejti do të bëhet realitet”, ka shkruar Hashim Thaçi në Facebook.
Këtë shndërrim të FSK-së në ushtri me anë të ndryshimit të ligjit për FSK-në e ka komentuar agjencia serbe e lajmeve Tanjug.
Lajmi është dhënë edhe nga Gazeta Blic e Serbisë, duke cituar Thaçin i cili tha se ky shndërrim vjen si dicka krejt normale për një shtet sovran.
Deklarimin e Thaçit e ka komentuar edhe media tjetër serbe B92, e cila në sajtin e saj shkruan se Thaçi deklaroi që edhe vendet fqinje të Kosovës këtë hap duhet ta kuptojnë si një zhvillim normal, njofton Klan Kosova.