E mërkurë, 09 Nentor 2016 – Sakte.net /
OPINION NGA: AVNI JASHARI
E gjithë kampanja elektorale në SHBA e cila u zhvillua tash e sa kohë pati reagime e kundër reagime nga qarqe të ndryshme politike e analitike pothuaj në tërë globin. Në SHBA sot kurorën e të parit e mori Donald Trump, duke e mposhtur bindshëm kundër kandidaten nga radhët e demokratëve, ish/Sekretaren e shtetit dhe ish/Zonjën e Parë, Hillary Clinton.
Shumë analistë botërorë e kishin cilësuar zonjën Clinton si të pamposhtur përballë Trump duke pasur parasysh përvojën e saj të gjatë politike dhe poashtu pozitat me rendësi që kishte mbajtur në qeverinë amerikane.
Perceptimet e madje përkrahjet për ndonjërin nga këta dy kandidatë ishin të përmbajtura në Evropë por edhe më gjerë nga politikanët, rëndom edhe kështu do të duhej të veprohet, sepse analistët, gazetarët e shkrimtarët mund të dalin me parashikimet e tyre dhe preferencat poashtu, duke sjell argumente që ata i shohin se janë relevante për njërin apo tjetrin kandidat. Por të njëjtën gjë nuk është etike e as e shëndetshme ta bëjnë prijës të tjerë shtetëror apo edhe politikanë me ndikim në vendet tjera.
Tek ne shqiptarët thashethemet janë sikurse buka dhe ujë, pa të cilat nuk jetojmë dot. Sapo Donald Trump (tashmë President i zgjedhur i SHBA-ve) doli si kundërkandidat i Clinton, disa politikanë filluan me preferencat e tyre dhe madje me një gjuhë goxha banale në raport me kandidatët për president të SHBA-ve, fillimisht politikanët shqiptarë (disa prej tyre) duhet ta dinë që bota nuk sillet rreth shqiptarëve. Deklarimet për preferencat e tyre në një formë apo tjetrën janë ndërhyrje me ose pa dashje në punët e brendshme të një shteti demokratik. Një udhëheqës politik gjatë garës zgjedhore në një shtet tjetër duhet të jetë neutral, ku pas përfundimit të garës ta urojë ose përgëzojë homologun ose X- Y personin e zgjedhur duke respektuar vullnetin dhe demokracinë e atij vendi.
Elitat politike tek ne nuk hezituan që ta mbështesin e madje edhe ta festojnë fitoren para përfundimit të lojës, ku më pas basti i tyre del humbës dhe fjalët e thëna nuk tërhiqen dot mbrapsht.
Gabimet e të shkuarës që kishin bërë dikur udhëheqësit komunistë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë duhet të mos jenë model për këta të sotmit ngase politikave, dhe politikanëve të gabuar dikur ua kemi parë shumë sherrin, ndjekja e një rruge që të shpie drejt humnerës është fatale. Nëse një model që ia vlen të kopjohet këto raste është ai i Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili në rrafshin diplomatik dhe miqësi ndërkombëtare nuk ka bërë asnjëherë gabime të tilla, përkundrazi.
Politikanët tanë duhet ta mësojnë njëherë e përgjithmonë që deklarimet me ngutim dhe e modelit: “ta them unë këtë i pari” janë gjëra që i bëjnë dëm vendit, duke pasur parasysh që ne edhe ashtu jemi një vend i vogël dhe më së paku neve na takon të përzihemi në punët e brendshme të një shteti tjetër, se edhe ashtu veç bëhemi horë se askush nuk na vë veshin në kësi raste, pos që ja bëjmë sherrin vetës.
Pavarësisht këtyre, politikat amerikane nuk ndryshojnë brenda natës siç janë mësuar politikanët tanë ti bëjnë këtu tek ne. Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi duhet të jemi të gëzuar që kemi një MIK siç janë SHBA-të, dhe siç edhe thotë një fjalë e urtë popullore e jona: “Mikut mos iu përziej asnjëherë brenda shtëpisë”