Dekoratat e Thaçit në Shkup shihen si ndërhyrje në garën zgjedhore

Në mesin e të dekoruara ishin edhe kryetari i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me shumë bashkëpunëtorë të partisë së tij dhe ai i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.

Muajin e kaluar, një hulumtim i opinionit në Maqedoni tregonte se këto dy parti, më të vjetrat që përfaqësojnë shqiptarët në Maqedoni, janë të rrezikuara me votë nga lëvizjet e reja politike të shqiptarëve.

Preisdenti Hashim Thaçi dekoron kryetarin e BDi-së, Ali Ahmeti. Foto: Zyra e Presidentit
Preisdenti Hashim Thaçi dekoron kryetarin e BDi-së, Ali Ahmeti. Foto: Zyra e Presidentit

Sondazhi i publikuar nga Instituti për Hulumtime të Qeverisjes së Mirë tregonte se BDI e Ali Ahmetit, e cila është në koalicion qeveritar nga viti 2008, ishte edhe më tej partia më e madhe e shqiptarëve me 13.4 përqind të votave. Por një parti e re, Besa, është shumë afër BDI-së me 10.2 përqind.

Gazetari nga Shkupi, Xhelal Neziri, tha për KALLXO.com se akti i Presidentit të Kosovës mund të konsiderohet si ndërhyrje në garën e brendshme politike të shqiptarëve në Maqedoni

“Maqedonia tani më është në fushatë zgjedhore andaj ky manifestim natyrisht se mund të vlerësohet edhe si një përkrahje e presidentit të Kosovës për dy partitë e vjetra shqiptare – BDI-në e Ali Ahmetit dhe PDSH-në e Menduh Thaçit”, tha Neziri.

Ai thotë se përkrahja e hashim Thaçit për këto dy parti vjen pikërisht në kohën kur BDI e PDSh ndihen të rrezikuara për nga mbështetja në elektorat.

“Kjo përkrahje vjen në momentin kur këto dy parti rrezikohen seriozisht nga iniciativat e reja politike. Presidenti Thaçi me këto mirënjohje dërgon një porosi te elektorati shqiptar në Maqedoni se midis cilëve opsione duhet të zgjedhin më 11 dhjetor, gjë që në fakt paraqet përfshirje më konkrete të presidencës kosovare në garën zgjedhore te shqiptarët e Maqedonisë”, tha Xhelal Neziri.

I të njëjtit mendim është edhe njohësi i politikës së shqiptarëve në Maqedoni, gazetari nga Kosova, Xhevdet Pozhari i cili për disa vjet ka punuar si gazetar në Shkup.

Presidenti Hashim Thaçi dekoron kryetarin e PDSh-së, Menduh Thaçi. Foto: Zyra e Presidentit

Pozhari tha për KALLXO.com se Hashim Thaçi e shfrytëzoi përvjetorin e Kongresit të Manastirit “për t’i promovuar miqtë e tij”.

“Presidenti Thaçi si duket e ka kuptuar më së miri se tashmë ka filluar rënia e pushtetit të Ali Ahmetit që për 15 vite qeverisje rrënoi çdo vlerë shqiptare, shembi çdo standard të politikbërjes, qoftë ai politik apo moral. Andaj, ngutazi mundohet që shokëve të vet me dekorata t’ua mbulojë ‘turpin politik’”, tha Xhevdet Pozhari.

Sipas tij, dekoratat e Thaçit për personalitetet politike në Maqedoni në mes të garës zgjedhore, mund të ndikojnë në elektorat.

“Kjo ceremoni e ka për qëllim dëmtimin e partive të reja politike në Maqedoni ngaqë për një veprim të tillë i ka detyruar frika nga forcat e reja politike. Kjo tregon se Presidenti Thaçi nuk udhëhiqet nga interesat e shqiptarëve të Maqedonisë, por ka mbivendosur interesat e tij partiake mbi çdo interes tjetër”, tha Pozhari.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme