Orë të vështira kanë qenë orët e mëngjesit të sotëm për fshatrat përgjatë rrjedhës së përroit të Lunjës në Lushnje. Reshjet mbi 60 mm gjatë orëve të para të mëngjesit kanë bërë që përroi të dalë nga shtrati dhe të përmbysë toka të mbjella, sera dhe ka kaluar në nivelin mbi një metër nëpër urat e fshatit Karbunarë e sipërme e po kështu Karbunarë e poshtme.
Fadromat kanë shkuar në zonë në orën 6 të.mënhjedit dhe situata është përmirësuar ndjeshëm dhe niveli i lartë i ujit ka rënë duke i mundësuar kalimin në ura të banorëve, ndërkohë që ka prezencë uji në oborret e banesave përgjatë rrjedhës së përroit.
Në terren që në mëngjes ka qenë dhe kryetarja e bashkisë, Eriselda Sefa bashkë me shtabin e emergjencave dhe përgjegjësin e drejtorisë së kullimit Fier, Ferdinand Dervishi.
“Situata në Karbunarë për shkak të prurjeve të Lunjës, punonjësit janë në terren për të zhbllokuar ujërat që këto prurje të mos krijojnë bllokime dhe të vazhdojnë me përmbytjet e banesave apo tokave. Jemi në mbikëqyrje të situatës, pak problematikë kemi me prurjet e Lunjës. Aktualisht një grup pune është në terren dhe një tjetër në Barbullinjë. Në pjesën tjetër të territorit nuk kemi problematika. Do të vazhdojmë mbikëqyrjen që të mos krijohet asnjë situatë emergjente. Aktualisht vetëm prezencë uji në oborret e banesave këtu, por brenda nuk ka pasur.”, u shpreh kryebashkiakja e Lushnjes, Eriselda Sefa.
Dervishi theksoi se situata është nën monitorim të vazhdueshëm.
Prezencë të lartë uji ka edhe në tokat bujqësore në zonën e ulët të fushës së Tërbufit të njësisë administrative Golem, dushk të Lushnjes dhe Njësisë Tërbuf e Grabjan të bashkisë divjakë për shkak të reshjeve ndërsa hidrovorët kanë punuar dhe vijonte të punojnë me kapacitet të plotë.






