Ai këto komente i bëri të enjten gjatë ceremonisë së organizuar nga Demokracia në Veprim të ndarjes së pesë çmimeve në kuadër të garës për videon më të mirë “As Unë nuk do të votoj për kandidatët e korruptuar”.
Delawie ka kërkuar nga Task Forca për zgjedhje, që të hetojë çdo përpjekje për të ndikuar në zgjedhje.
“SHBA është e interesuar që zgjedhjet të jenë të lira dhe të besueshme, pa kurrfarë lloji të dhunës apo kërcënimit politik. Të gjithë kandidatët nga çdo parti kanë të drejtë të bëjnë fushatë në përputhje me vlerat dhe pikëpamjet e tyre dhe kanë të drejtë ta bëjnë këtë pa frikë nga kërcënimi apo frikësimi. Tashmë kemi parë më shumë së që duhet incidente të dhunës, frikësimit”, ka thënë ai
“Andaj iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politik, që publikisht të dënojnë kërcënimin e kandidatëve dhe të votuesve dhe të ndihmojnë që dita e zgjedhjeve të jetë e qetë. Po ashtu kërkojmë nga TASK Forca për zgjedhje, që të hetojë çdo përpjekje për të ndikuar në zgjedhje. Ambasada amerikane do t’i bashkohet organizatave tjera ndërkombëtare, duke dërguar ekipe të vëzhguesve nëpër vendvotime nëpër tërë Kosovën. Ne do të bëjmë vëzhgime edhe gjatë ditës gjatë votimit, e po ashtu dhe gjatë numërimit”, tha Delaëie.
Ndërsa shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova tha se zgjedhjet e 11 qershorit janë një mundësi e mirë, në të cilën qytetarët mund të ndikojnë duke votuar për të ardhmen e tyre.
Ajo tha se populli i Kosovës, meriton përfaqësues që do të punojnë për të hapur mundësi për investime dhe vende te reja pune, në mënyrë që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë.
“E drejta juaj për t’i zgjedhur përfaqësuesit tuaj pa frikë apo ndërhyrje është parim i shenjtë për Kosovën, që të ecën përpara. Çdo gjë më pak se kaq, nuk është demokracia të cilën ju e prisni populli i Kosovës dhe meritoni. Me ju BE qëndron e bashkuar, kundër kandidatëve të korruptuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë në Kosovën, që të çojmë përpara sundimin e ligjit. Një qytetari aktive dhe angazhim të fuqishëm të grave dhe të të rinjve në procesin politik. E dimë që demokracia nuk ndalon kur mbyllen vendvotimet. Ju vazhdimisht duhet t’i mbani të përgjegjshëm, apo do të kërkoni llogari nga përfaqësuesit tuaj, në mënyrë që ata të veprojnë me përgjegjësi dhe në mënyrë transparente në interesin tuaj”, tha Apostolova.
Ndërkaq Ismet Kryeziu, drejtor i Institutit Demokratik të Kosovës tha se qëllimi i iniciativës qytetare është që të nxisë pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe të refuzojnë tolerancën ndaj korrupsionit dhe kandidatët e përfshirë në afera korruptive, njofton rtklive.com
“Qëllimi i iniciativës qytetare ”As unë nuk do të votojë për kandidatët e korruptuar”, është që të nxisë pjesëmarrjen qytetare në procesin e votimit dhe përmes angazhimit dhe votës së tyre të refuzojnë tolerancën ndaj korrupsionit dhe kandidatëve, të cilët janë të përfshirë në afera korruptive. Kjo votë do të ndikojë në rritjen e integritetit politik, për përfaqësim më të denjë dhe llogaridhënës”, tha ai.
Ndryshe, në këtë garë në të cilën ishin 27 video, çmimin e parë e mori Albulena Uka. Çmimin e dytë e fitoi Besfort Berisha, të tretin Egzona Shabani, të katërtin Shaip Mziu dhe të pestin Tringa Alidemi.