Nga e enjtja deri të shtunën pritet që në Kosovë të qëndrojë një delegacion i Bashkimit Evropian për të marrë të dhëna rreth luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kriter i fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Gjatë kësaj jave pritet që në Kosovë të vijë një delegacion i Bashkimit Evropian, i cili do të mbledhë të dhëna nga institucionet e Kosovës lidhur me atë se sa është punuar në përmbushjen e kriterit të fundit për heqjen e vizave.
Kështu ka njoftuar për gazetën “Zëri” ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha e cila ka thënë se vizita do të realizohet nga 3-5 maj.
Me këtë rast Hoxha ka bërë të ditur se institucionet tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme sa i përket kësaj çështjeje, ndërkohë është shprehur e bindur se Kosova do të marrë rezultate pozitive.
Nga ana tjetër, edhe nga Komisioni Evropian kanë pohuar për gazetën se një mision i nivelit teknik shumë shpejt do të jetë prezent në Kosovë.
Por pavarësisht kësaj, nga opozita janë shprehur skeptikë nëse do të ketë lajme të mira pas kësaj vizite.
Kjo pasi, sipas tyre, nuk është punuar sa duhet drejt përmbushjes së kriterit të fundit për heqje të vizave, luftës ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.Megjithatë, ish-ministrja e Drejtësisë ka konsideruar se qytetarët do të munden të lëvizin lirshëm brenda këtij viti.