“Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë. Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive”, ka thënë Ilir Meta i pyetur lidhur me vendimin e kryeministrit Edi Rama që t’ia delegojë kompetencat e ministrisë së jashtme, Gent Cakajt.
Kryeministri Edi Rama nuk e mori vetë detyrën, por tha se ia delegon atë zëvendësit, Genti Cakaj.
“Është fjala më e shkurtër në jetën time. Unë në funksionin tim si ministër i Jashtëm i delegoj zotit Gent Cakaj drejtimin e kësaj ministrie dhe përfaqësimin në institucionet ndërkombëtare”, u shpreh Rama, duke mos thënë asnjë fjalë tjetër.
Gent Cakaj u refuzua si kandidaturë nga ana e presidentit Ilir Meta.



