Delet dhe dallëndyshet në politike

Fadil Lepaja

Pa kurrfarë problemi, titulli që mund të i binte tamam këtij shkrimi, do të ishte cilido që
do të fliste për shtazët dhe shpezët tona politike, ku të parat e kanë shndërruar vendin në një fermë të lodhët dhe të izoluar, në prag të bankrotimit, ndërsa të dytat si zakonisht paralajmërojnë ardhjen e pranverës, siç edhe u shkruan në përshkrim të vendit të tyre të punës.

Qysh e dini, shprehja “shtazë politike” në Ballkan, përdorej qysh në antikë. E kishin fjalën për njerëzit. Atëherë politika konsiderohej veprimtari fisnike, ndërkohë që njerëzit, në kuptimin biologjik shiheshin si shtazë, gjithsesi më të avancuara, sepse merreshin me politikë. Edhe dallëndyshet, pra shpezët , qysh moti janë përdorur si metaforë, që sjell beharin, sidomos në klithmat e poetëve të rinj që këndonin për dashurinë, apo në fjalimet e paralajmëruesve të ndryshimeve të mëdha shoqërore. Shtazët politike, i kishim edhe ne këtu, ndërkohë që dallëndyshet, nuk i kishim për shkak të gjeografisë dhe dimrave kontinental, por ato gjithnjë vinin prej pjesës së globit, me klimë të butë, pra gjithnjë vinin nga jugu. Ato, ishin shenjë e sigurt, se stinët po ndërroheshin, sepse ato nuk vinin kurrë në dimër, as pa u shkri bora. I shihje dallëndyshet, dhe lirisht mund të hiqje rrobën e trashë.

Natyrisht, kishte edhe nga ata që ngrinin, sepse me të parë dallëndyshen e parë, kishin besuar se pranvera erdhi. Por, jo edhe ndër ne, sepse populli ynë i rryer në jetë dhe politikë, asnjëherë nuk mashtrohej me një dallëndyshe. As me dy! Duhej të shihnin së paku tri. Së paku tre komisionet duhej të vinin për të besuar se Evropa na ka në agjendë. Aq do të jenë sot, nën ethet e seancës parlamentare për demarkacionin. E votuat, pranvera vjen, do të thonë edhe tri dallëndyshet . Ato nuk janë të parat, natyrisht. Nga BE vazhdimisht vijnë dallëndyshe, e na flasin për pranverën, por populli i vetëm i izoluar i kontinentit, i rrethuar me fqinjë ku lëvizet lirshëm, ende e dashuron kontinentin me një dashuri kontrabandë.

Nejse, të kthehemi, në temë! Dikujt nga lexuesit e mi besnikë edhe mund t’i kujtohet, se para shumë vitesh, në një kolumne, e pata përdorur atë barsoletën e famshme, për dy dele të cilat kullosin në livadhin e jeshil dhe llafosin mes vete për politikën blu.

“Bee…” thoshte e para, plotë entuziazëm. “Ma more fjalën nga goja”, ia kthente e dyta.

Ky mund edhe të ketë qenë një dialog i përfolur kot, pa ndonjë bazë reale, por ka shumë të ngjarë që të ketë qenë i vërtetë, sidomos për faktin se delet tona politike, edhe në rrjete sociale, blegërijnë me shkronjë të madhe të shtypit.

Tash, pra edhe sot e kësaj dite, në politikën tonë, delet tona, e kanë të njëjtin llaf. Ka rënë vetëm entuziazmi, edhe pse deklamimi vazhdon të bëhet me zë tepër të lartë.

Kaq për shtazët, tona politike, e tash do të themi edhe disa fjalë, pak më specifike, për shpezët, pra për dallëndyshet ndërkombëtare. Dallëndyshet, qysh e dini edhe vet janë shpezë, që vijnë nga veriu dhe sjellin pranverën politike dhe sociale. Sot na vijnë tri sosh, në Kosovë. Dimri është në kulm. Meteorologët kanë paralajmëruar ditën më të ftohët të vitit. Ministri i Arsimit madje e shpalli “ditë shpie”, pra fëmijët rrinë në shpi, ndërsa politika mund të thuhet lirisht se kanë mbetur me “BE”-në e ngrirë në buzë. Nuk i kanë votat, përhapin stres gazetarët.

Pra, dallëndyshet, janë paralajmëruese të pranverës politike, me emrin liberalizim. E gjithë kjo gjithsesi varet nga delet tona, politike, që tash e 18 vite, ja marrin njëra tjetrës fjalën nga goja. “Beee.”, pra! Por, mos mendoni se të gjitha delet në Ballkan, bëjnë “Beee…” ! Ka edhe nga ato që bëjnë “Beee…”! Ka edhe ujq, në politikë që preferojnë klimën siberiane, apo ka edhe ujq të murrmë që ëndërrojnë për duhmën e shkretëtirës, ka gjithçka.

Sido që të jetë, pranvera te ne varet , sa nga gjeografia, po aq edhe nga gjeopolitika. Krejt, votimi për pranverën, në parlamentin e Kosovës, varet nga dy tri vota. Krejt situata rreth votimit të demarkacionit , po merr përmasa dramatike. Si raportojnë mediat, Kryeministri ndodhet jashtë vendit dhe se ai mbrëmë nuk ka mundur të niset, për në vendlindje për shkak të motit të keq dhe pamundësisë për të ateruar në aeroportin turk, të Prishtinës. Pastaj, na e bëjnë lojën e zemrës, me lajmet se megjithatë qenkan krijuar kushtet, që ai të aterojë, ndërkohë që ai ende pret me durim në aeroportin e Sofjes.

Me përmbledhë krejt këtë rrëfim, situata paraqitet e tendosur para votimit: i kanë apo si kanë votat, për të joshur tri dallëndyshet, politike, nga BE, që po ashtu pritet sot të vijnë në Kosovë? Mund të aterojnë? I kanë, votat, thonë politikanët, e gazetarët thonë se nuk i kanë, ndërsa qytetarët tashmë nuk flasin, janë topitur, nga të ftohtit, dhe nga monotonia.

Sido që të jetë, edhe nëse votohet, pranvera, pritet të vijë tek në vjeshtë. Atëherë, mundeni me ja mbajt kah të doni e kur të doni.

Nëse nuk votohet, e pranvera nuk vjen, marsi vjen me siguri. Marsi vjen gjithnjë, sërish, siç edhe na mëson kënga e famshme e Ilirit me titull: “Sërish vjen marsi…”. Pastaj, klasa jonë politike, do na ngrohin me “natën e zjarreve”…!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme