Marjan Dema, rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në emisionin “Rubikon” të KTV-së ka thënë se UP-ja nuk do të lejojë ndërtime në kampus pa lejen e saj.
Gjatë fushatës zgjedhore për Komunën e Prishtinës, kandidatët Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes dhe Arban Abrashi i LDK-së kishin premtuar ndërtimin e një parkingu nëntokësor në oborrin e Fakultetit Filologjik, por këtë ide e ka kundërshtuar rektori Dema, i cili ka thënë se ndërtimet duhet të jenë vetëm për interesa të UP-së.
“Problemi kryesor është që ne jemi vetëm shfrytëzues dhe nuk jemi pronarë, prandaj nuk është çudi që nesër apo pasnesër të kemi ngrehina të llojllojshme pa pajtimin tonë sepse ashtu konsiderohemi. Këtu ka qenë problemi i asaj toke të marrë nga Kisha sepse edhe ne kemi kërkuar që ta kthejë atë tokë sepse është marrë nga Kuvendi Komunal dhe të merret mbrapa nga ajo, pastaj ne do e kishim shfrytëzuar”, ka thënë Dema në “Rubikon” të KTV-së.
“Nuk ish dashur të ndërtohet diçka në kampus pa lejen tonë. Nuk ish dashur të ndërtohet diçka që nuk ka të bëjë me Universitetin. Mendoj dhe kërkoj që të mos ndërtohet diçka pa lejen tonë, ajo nuk do të jepet për asgjë tjetër përveç interesave të Universitetit”, ka thënë Dema kur është pyetur për ndërtimin e mundshëm të parkingut nëntokësor në kampusin e UP-së.
© KOHA.