Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike tashmë ka në duar projektligjin për demarkim të kufirit me Malin e Zi, para se ky i fundit të kalojë për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.
Zëvendëskryetarja e këtij komisioni, deputetja e AAK-së, Time Kadriajaj ka bërë të ditur për “Gazeta Blic”, se ngjashëm sikurse të gjithë projektligjet tjerë, edhe ky për demarkacionin do të kalojë përmes komisionit parlamentar.
”Edhe projektligji i demarkacionit duhet t’i kalojë procedurat parlamentare sikur krejt projektligjet tjera”, tha Kadrijaj.
Deputetja e AAK-së tha se pa kaluar përmes komisionit nuk do të mund të përcillet për në seancë plenare.
”Fillimisht duhet të kaloj përmes komisionit parlamentar për punë të jashtme e më pas të procedohet për seancën plenare”, shtoi ajo.
Sa i përket caktimit të një date për mbledhjen e ardhshme të komisionit, ku edhe do të mund të diskutohej për demarkimin e kufirit, ajo tregoi se një mbledhje e tillë ende nuk është caktuar.
”Ende nuk është caktuar mbledhja e komisionit e për qëndrime të anëtarëve të komisionit nuk e di”, pohoi ajo.
Për fund, Kadrijaj ka bërë të ditur që AAK ruan qëndrimin e saj kundër marrëveshjes për demarkim të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
”Një e di dhe është e saktë që AAK nuk e voton marrëveshjen”, përfundoi ajo.
Gazeta Blic ka tentuar të kontaktojë edhe kryetaren e këtij komisioni Vjosa Osmani, mirëpo e njëjta nuk është përgjigjur në telefon.
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike është i përbërë nga kryetarja Vjosa Osmani (LDK), Zëvendëskryetarja e parë, Time Kadrijaj (AAK), Zëvendëskryetari i dytë, Danush Ademi (6+), Aida Dërguti (Vetëvendosje), Visar Ymeri (Vetëvendosje), Dukagjin Gorani (Vetëvendosje), Doruntinë Maloku-Kastrati (LDK), Elmi Reçica (PDK), Evgjeni Thaçi – Dragusha (PDK), Srdjan Mitrović (Lista Serbe) dhe Zafir Berisha (Nisma për Kosovën).
Gazeta Blic nga burimet e veta në Kuvend ka mësuar se një mbledhje e këtij komisioni ku do të diskutohet për demarkacionin nuk është vendosur ende a do të ndodhë brenda këtij viti.
Gjithashtu, Gazeta Blic mëson se brenda vitit 2017-të, demarkacioni mund të mos përcillet fare në kuvend.
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli duke paralajmëruar seancën e radhës së Kuvendit tha se demarkacioni nuk është momentalisht në agjendë.
“Seanca e radhës parlamentare do të mbahet të enjten, pikatë rendit të ditës do të jenë ato të cilat kanë qenë në pritje, në kuvendin e Kosovës. Tani kur po flasim nuk ka asnjë çështje e cila është në pritje në agjendën e kuvendit, pra do të vazhdojmë në këtë mënyrë të enjten në orën 10 do të kemi seancën parlamentare. Në pikat e rendit të ditës që i kaluam, nuk ka qenë çështja e demarkacionit për arsye se ai projektligj kalon në radhë të parë në Komisionin për Punë të Jashtme dhe në momentin kur e përfundojnë komisionet, pastaj procedohet për në seancë plenare”, deklaroi Veseli.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ditë më parë ka marrë vendim që të procedojë për në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, bashkë me të gjeturat e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, në krye me Shpejtim Bulliqin./GazetaBlic