Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë ditës së djeshme ndërmorën një aksion masiv. Cak ishin dhjetëra zyrtarë të Administratë Tatimore të Kosovës dhe disa biznesmenë.
Aksioni i cili ka nisur në mëngjes dhe ka vazhduar deri në orët e pasdites kishte të bënte me dyshimet mbi kryerjen e veprave penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”.
Në këtë aksion të madh janë arrestuar trembëdhjetë persona të dyshuar, dymbëdhjetë prej tyre zyrtarë të ATK-së, një pronar i një biznesi, transmeton Reporteri.net.
Siç njoftoi Prokuroria, zyrtarët e arrestuar të AKT-së dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilët janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale.
Andaj, B.B., F.P. dhe B.B., pretendohet se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milionë euro.
“Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilët janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarve në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara tek i pandehuri F.M janë gjetur dhe konfiskuar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale.
Kush është biznesmeni i arrestuar?
Fjala është për biznesmenin Feim Pula me origjinë nga Prizreni.
Pulaj ka veprimtari edhe në Zvicër. Pas rikthimit nga Zvicra në Kosovë, ka hapur një sërë biznesesh me veprimtari të ndryshme: nga hoteleria deri tek telekomunikimet.
Ai është pronar i një hoteli në Vërmicë të Prizrenit, por ka edhe në pronësi edhe një biznes tjetër që merret me ndërtimin e objekteve banesore, kryesisht në Komunën e Prizrenit.
Në vitin 2020, Feim Pulaj i përvetësoi 100 për qind të aksioneve të kompanisë telekomunikuese “Advan Tech”.
Siç shkruante, në tetor të 2021’ës, portali “Front Online”, krahas aksioneve, ai trashëgoi edhe një kontratë, të cilën biznesi në fjalë para se ky ta blente e kishte lidhur me Telekomin e Kosovës.
Bëhet fjalë për një marrëveshje, sipas të cilës të dyja palët pajtoheshin të ofronin shërbime të përbashkëta kabllore, interneti e telefoni për 7 vjet.
Ujdia që u nënshkrua më 6 dhjetor të 2019-s nuk u zbatua kurrë nga ana e Telekomit. Kësisoj, në vitin 2021 ai e kishte ‘kërcënuar’ Telekomin me zgjidhje të kontestit mes tyre në Arbitrazh.