Partia Demokratike në Shtetet e Bashkuara ngriti padi kundër Qeverisë ruse, fushatës zgjedhore të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe organizatës WikiLeaks, duke i akuzuar për konspiracion për të përçarë fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA dhe për ta lëvizur atë kah zgjedhja e Trumpit.
Padia, e ngritur në një gjykatë federale në Menhetën, thotë se zyrtarët e fushatës së Trumpit kanë bërë konspiracion me Qeverinë ruse dhe agjencinë e saj të spiunimit për të dëmtuar kandidaten demokrate, Hillary Clinton, dhe për të ndihmuar Trumpin duke i pirateruar kompjuterët e Partisë Demokratike.
Padia nuk e përmend Trumpin si të pandehur, por disa ndihmës të tij që besohet se kanë takuar njerëz të lidhur me Rusinë gjatë fushatës zgjedhore.
Shtëpia e Bardhë nuk e komentoi ende padinë.
Presidenti Trump ka mohuar vazhdimisht se fushata e tij ka bashkëpunuar me Rusinë, ndërsa akuzat i ka cilësuar si “gjueti shtrigash”.
Disa hetime për këtë çështje janë në zhvillim e sipër.