Dënim 10-15 vite burg nëse shkakton vdekje me COVID-19, Fuga: Nëse Kuvendi sot e kalon këtë ligj, do jetë i pari gjenocidist në 30 vite

Akademiku Artan Fuga e ka cilësuar dënimin me 10 -15 vite burg nëse shkakton vdekjen e COVID-19 të parashikuar në projektligjin për ndryshimet ne Kodin Penal si ligjin e parë gjenocidist në 30 vite.

Fuga thotë se sot do të shihet nëse është shpërndarë virusi i budallallëkut apo jo duke kritikuar ashpër këto ndryshime ligjore në Kodin Penal.

Sipas akademikut nëse dikush është i infektuar atëhere duhet të vdesë urie, teksa Gjermania nga ana tjetër nuk burgos por gjobit 1000 euro. Po ashtu Fuga shton se ka mijëra persona që lëvizin lirshëm me sëmundje të tjera infektive dhe për ata pyet se a do të ketë dënim me varje.

Prandaj Fuga thotë se ky është një gjenocid ndaj atyre që janë të sëmura duke i ndarë nga të pasëmurët dhe për këtë aspekt sipas ligjit fajësohesh se je i sëmurë.

STATUSI I ARTAN FUGËS

Kriminel sepse i sëmurë

Nëse Kuvendi i Shqipërisë kalon sot ligjin që dënon të sëmurët, të cilët infektojnë të tjerët – ne kemi ligjin e parë eugjenik dhe genocidist në këta tridhjet vjet!

Për ata që e bëjnë me qëllim – na thonë disa! Pra, që kanë viruse epidemike në trup dhe që me qëllim e kthejnë trupin e tyre në mjet për të infektuar të tjerët!

Mirëpo si do ta gjesh qëllimin ta zemë te një njeri që është me kolerë, botkin, a me covid19, shkon të blejë kastraveca te tregu fshatar, dhe atje iu ngjit sëmundjen të tjerëve! Edhe sikur ta ketë bërë me qëllim, nëse është qëllimkeq, pse do t’a pranojë ai qëllimin e tij të keq!

Ta zemë është një pjestar i një organizate terroriste që infektohet për të infektuar të tjerët! Pse do ta pranojnë ata qëllimin e tyre të keq? Pse budallenj janë ata të bëjnë këtë gjë kur fare mirë e ngjisin virusin te qytetarët e pafajshëm të cilët padashur ua ngjisin të tjerëve. Pa pikë qëllimi?

Të dënohet krimi bakteriologjik kryer nga organizata terroriste – ka tashmë ligje, pa merak!

Kjo puna e qëllimit ose e mungesës të qëllimiit është pesë me hiç, një budallallik.

Po ata që duan t’i ngjisin virusin e budallallikut të tjerëve? Me ata si do të bëjmë???

Ligja do t’i thotë njeriut të infektuar : shiko se del dhe kontakton të tjerët dhe pastaj u ngjit sëmundjen, do të hash 5, 10, 15, 100 vjet burg?

Qëllimin e thamë, është pesë me hiç, por dikush nga drejtësia mund t’i thotë : Qëllimin tënd e dimë ne ore kriminel, sigurisht ti nuk do ta pranosh!

Dhe ne dënojmë me ligj dikë për faktin se është i sëmurë, dënojmë, seleksionojmë, eliminojnë nga hapësira publike të sëmurët! Cfarë ka eugjenizmi që kërkon seleksionimin e racave të pastra dhe genocidi ndaj të sëmurëve më shumë se kaq!

Kur shoh që opozita hesh në këtë rast dhe bën deklarata thjesht sikur të ishte dispanceria e lagjes, më vjen keq!

Mirë, po një sipërmarrje, një kinema, një shkollë, një njësi shitjeje, një parti politike që bën kongrese, mitingje, festa, protesta, në kohë virusesh epidemike dhe më ka shkaktuar sëmundjen, me sa vjet burg, internim, qeli do të dënohet?

Sepse ai i sëmuri diku e ka marrë virusin! Kush e mban përgjegjësinë ligjore që ai është virusuar, ne kemi virusin e kolerës, covid19, sida-n a ndonjë virus tjetër : sifiliz, turbekuloz, malarje etj?

Do dënohet ministri i arsimit se virusin e kam marrë në shkollë, i kulturës sepse e kam marrë në kinema a teatër, do të dënohet ai i ushtrise sepse e kam marrë duke përdorur armët balistike Tokë – Ajër – Tokë në stërvitjen ushtarake të shkollës së lirë ushtarake të lagjes?

Nuk duhet ligji të plotësohet mirë e bukur atëhere?

Ky i infektuari, i sëmuri kriminel, jashtë nuk duhet të dali sepse bën krim!!! Po kur ka pesë fëmijë, gruan, vjehrrin dhe vjehrën në një apatrtament me një dhomë e një guzhinë, duke ndejtur me ta a nuk i infekton, a nuk bën krim? Pra po infektove të huaj bën krim, po infektove familjen, pastaj familja të gjithë shkallën, e gjitha shkalla të gjithë katundin, ah jo në këtë rast nuk bën krim! Cfarë logjike juridike është kjo?

Poqese jam i infektuar me kolerë, a me coronavirus, por jam vetëm, më hahet bukë, nuk më sjell kush për të ngrënë, a duhet të vdes urie këtu në këtë wc time apo të dal te furri i lagjes të blej ndonjë byrek?

Sipas këtij ligji si duket më duhet të vdes urie ose të pranoj se jam unë Qenan K. krimineli i lagjes!

A merr pësipër shteti që po të kem një semundjue infektive të me vejë në dispozicion ndonjë vilë andej nga kodrat e Tiranës të qendroj vetëm? Atëhere po, ta bëjë këtë ligjin! A merr përsipër të më ushqejë, veshmbathë, poqese jam unë virusi? Atëhere po, të më quajë kriminel!

Kjo i hap rrugë mbledhjes të të gjithë të sëmurëve në kampe përqendrimi ku të rrinë me njeri tjetrin! Unë protestoj për këto mendësi genocidiste që vijnë nga frika dhe paniku i burokracisë nga semundja e tyre!

Edhe sikur të mos ndodhi kjo, logjikisht aty çon!

Po sa mijra të semure me semundje infektive ka që qarkullojnë lirshëm. Kemi ne teste për të gjithë ata që jane infektuar me coronavirus? Cfarë kuptimi ka të dënosh dike qe ka simptoma, që nuk dihet se kush i vlerëson , kur për mungese testesh infektohen rrugeve mijra të tjere!!!

Do të ketë një ligj me varje për këte??? Cfarë i keni këto mooooo!

Kush nxorri ligj që dikush me sida në dashuri e sipër infektoi partnerin i cili vdiq të dënohet me burg?

Pse Gjermania dje nuk dënon të semuret por vendos 1000 euro gjobë për këdo që nuk respekton rregullat e higjenës. Pra, të semure dhe te shendoshe, per sjellje objektive te matshme jo për shkakun e fajit se eshte semure!

Qe nga dita e sotme ne jemi potencialisht të infektuar me corona, jo vetëm infektojmë familjet tona, por edhe jemi të gjithë kriminelë!

Ne jemi të fajshëm sepse jemi të sëmurë!

Sot do të shihet nëse virusi i budallallikut është ao jo i përhapur!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme