Dënimi në Belgjikë i Ramazan Rrajës/ Historitë kriminale për të cilat nipi i deputetit të PS ia hodhi paq në Shqipëri

Prokuroria belge kërkoi dje 8 vite burg për Ramazan Rrajën, nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Mediat e huaja bëjnë me dije se dy shqiptarët, Ramazan Rraja dhe kushëriri i tij, Fioralb Rraja, se bashku me një shtetas letonez, akuzohen për grup kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas dosjes së prokurorisë belge, banda trafikonte kokainë nëpërmjet Antwerp-it dhe më pas e shpërndante në të gjithë Evropën Perëndimore si dhe në Turqi e deri në Australi.

Pjesë nga artikulli i PZC.nl për Ramazan Rrajën:

“Shqiptari Ramazan R., një figurë famëkeqe në vendin e tij, ishte veçanërisht i njohur. Ai bënte një jetë luksoze ndërsa mbante një orë Richard Mille 665,000 dollarë në dore, duke vozitur me Ferrari dhe Lamborghini dhe duke treguar paratë e tij. Prokurori urdhëroi dënime me 9 vjet për Kaspars N. dhe 8 vjet për dy drejtuesit e tjerë”

Mirëpo, nipi i deputetit socialist është përfshirë në disa ngjarje kriminale në vendin tone.

Ramazan Rrahja filmohet duke rrahur një grua në ambientet e jashtme të QSUT-së:

Në vitin 2019, në rrjetet sociale nisi të qarkullonte një video ku shfaqej një i ri, i identifikuar si Ramazan Rraja, nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, që dhunonte barbarisht një grua në ambientet e jashtme të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Përmbajtja u nda asokohe nga ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili bashkëngjitur saj ka postuar edhe denoncimin e “qytetarit digjital”, një oficeri policie në Krujë, sipas të cilit protagonisti i videos, është i “paprekshëm” dhe mbrohet nga disa pushtetarë.

Lidhja fisnore e agresorit me ligjvënësin socialist, u bë e ditur nga gazetarja e televizionit “Top Channel”, Anila Hoxha, në një postim sajin në llogarinë personale në Facebook.

“E morët vesh o shokë dhe shoqe ? Ai tipi që u shfaq tek JOQ Albania duke rrahur barbarisht një grua quhet Ramazan Xhelal Rraja , vitlindja 1993. Është referuar në gjendje të lirë për hetime të mëtejshme në Prokurori. Mirëmëngjesi!”, shkruante gazetarja Hoxha.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar me vonesë edhe Policia, që njofton se e ka shoqëruar 26-vjeçarin dhe e ka proceduar penalisht.

Ramazan Rrahja kërcënoi policin Emiljano Nuhu

Deputeti Rraja dhe familja e tij u vënë në qendër të vëmendjes së publikut disa vite më parë, kur u publikua skandali i Xhisiela Malokut, ish-të dashurës të të birit, Rexhep Rrajës.

Ishte polici Emiljano Nuhu, i larguar nga Shqipëria, që bëri publik çështjen “Xhisiela”, ku djali i deputetit akuzohej për dhunë të vazhdueshme ndaj ish-të dashurës.

Edhe Ramazani, që shfaqej në videon e fundit, u përmend në atë ngjarje nga polici Nuhu, i cili pretendonte se ishte kërcënuar nga nipi i deputetit kur kishte marrë përsipër çështjen “Xhisiela”. Rasti i Xhisiela Malokut u mbyll me tërheqjen e vajzës nga denoncimet për dhunë.

Ramazan Rrahja pjesë e grupit të armatosur që hynë në një lokal në Zejmen

Tre persona të maskuar e të armatosur ‘gjer në dhëmbë’, mes të cilëve edhe Ramazan Rrahja, u futën mbrëmjen e 13 nëntorit 2021 në mënyrë të befasishme në një lokal në Zejmen, ku kërcënuan dhe kryen kontrolle ndaj klientëve, për kartat e tyre të identitetit.

Policia e Lezhës, reagoi për ngjarjen 7 ditë me vonesë, kohë kjo e mjaftueshme që autorët të largohen jashtë vendit, megjithëse video ishte bërë publike edhe në media. Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por shqetësues mbetet fakti që tre të armatosur mund të lëvizin e futen lirisht brenda çdo ambienti.

Në kërkim për ngjarjen në fjalë u shpallën Roan Brahimi, 29-vjeç, banues në Fushë-Krujë, Alesio Dobrozi, 31 vjeç, si dhe Ramazan Rraja, 28-vjeç, banues në Fushë-Krujë, nipi i deputetit të PS-së, i arrestuar më parë në Holandë për trafik droge dhe për dhunë.

Sipas policisë asokohe, thuhej se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të mëparshëm, ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit Ani Kolës, dhe një miku të tre të rinjve, Ramazan Rrajës, Alesio Dobrozit dhe Roan Brahimit. Pas ngjarjes që tronditi Lezhën, të rinjtë janë larguar jashtë vendit dhe sipas mediave dyshohet se janë larguar në Dubai.

Ndërkohë në një reagim për mediat, Ramazan Rraja ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen e Lezhës, pasi ai ka qenë në një sebep familjar atë ditë.

 
Enver Stafuka u rrëmbye mbrëmjen e 8 shkurtit 2015. Në media u publikua një video që tregonte momentin e rrëmbimit të Stafukës. Edhe pse data që mban kamera e sigurisë mban datën 9 shkurt. Siç shikohet edhe nga pamjet e plota, i pari që vjen në sheshin para lokalit dhe që zbret nga makina është Enver Stafuka. Menjëherë pas tij, vjen Gentjan Bejtja. Më pas siç dallohet në video, vjen Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja. I fundit që i bashkohet grupit është Durim Bami, personi që shikoni në pamje që zbret nga makina në anën tjetër të rrugës.

Siç vihet re në vazhdim, të katër personat, futen në lokal. 21 minuta më pas, i pari që del nga lokali është Ramazan Rraja, emri i të cilit përmendet për herë të parë në këtë histori. Ky i fundit, nxiton, merr makinën dhe largohet. Vetëm një minutë pas tij, nga lokali po me nxitim, del Enver Stafuka. Janë momentet e fundit përpara rrëmbimit.

Ai duket teksa nxiton dhe drejtohet për te makina e tij. Është ky çasti, ku persona të veshur si policë, të cilët mesa duket po e prisnin, kanë dalë nga automjeti i tyre dhe i kanë thirrur në emër. Fillimisht ata e kanë shtyrë dhe më pas e kanë lidhur. Ndërsa një makinë afrohet dhe katër personat e fusin Enver Stafukën në brendësi të automjetit.

Edhe sot pas më shumë se 7 vitesh i pagjetur. Vetëm 2 minuta pasi ka ndodhur rrëmbimi, dalin qetësisht nga lokali, Durim Bami dhe Gentjan Bejtja. Themi qetësisht, pasi askush prej tyre, duket sikur nuk e ka parë aksionin e policisë ku u ‘arrestua’, Enver Stafuka që në fakt rezultoi të ishte rrëmbim. Sot, gati shtatë vite më vonë, ende nuk dihet asgjë për fatin e babait të 4 fëmijëve./GSH

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme